Pret që negociatat për MSA të mbyllen në pranverë

Eurodeputetja Lunacek, që është edhe raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe posaçërisht theksoi rëndësinë mbajtjes së zgjedhjeve lokale në tërë territorin e Kosovës.

Lajme

20/01/2014 11:22

Atifete Jahjaga zhvilloi sot një takim me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.

Eurodeputeja vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe posaçërisht theksoi rëndësinë e organizimit dhe mbajtjes me sukses të zgjedhjeve lokale në tërë territorin e Kosovës.

Nga ana e saj, Presdientja Jahjaga ka falënderuar eurodeputeten Lunacek për kontributin e saj personal dhe për mbështetjen e gjerë të anëtarëve të Parlamentit Evropian për kalimin e Rezolutës për Kosovën.

Jahjaga ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të vendit për të përmbushur deri në pranverë, kriteret e nevojshme për mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian, rreth Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet që do të mundësojnë përmbylljen me sukses të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në në pranverë të këtij viti”, thuhet në njoftimin e Presidencës, të lëshuar pas takimit.