Pret ndryshim më 3 nëntor

Njohësi i procesit zgjedhor Mazllum Baraliu thotë se më 3 nëntor sidomos në qendrat e mëdha mund të ketë ndryshime, bie fjala në Prizren, Gjilan, Mitrovicë, në qoftë se procesi zgjedhor nuk dëmtohet.

Lajme

24/10/2013 08:39

Rektori i Universitetit të Prizrenit, në njohës i mirë i procesit zgjedhor, Mazllum Baraliu, pret  ndryshime nga zgjedhjet e 3 nëntorit, të paktën në disa komuna.

Baraliu ka thënë për “Epoka e Re” se parashikon ndryshim të rezultateve posaçërisht në disa komuna të mëdha.

“Pres relacione të ndryshuara dhe proporcione të ndryshuara të numrave, të cilët do të mund t’i marrin subjektet politike në komuna të caktuara. Sidomos në qendrat e mëdha mund të ketë ndryshime, bie fjala në Prizren, Gjilan, Mitrovicë, në qoftë se procesi zgjedhor nuk dëmtohet”.

“Nëse kjo ndodh, natyrisht se pres ndryshime edhe në komunat e tjera, për arsye se kemi prurje të reja, kemi për herë të parë subjekte politike që garojnë në këto zgjedhje, të cilat kanë punuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe që mund të kenë impakt në përqindjen e rezultateve të zgjedhjeve”.

“Por, po ashtu, kemi edhe një mobilizim të subjekteve tradicionale politike, PDK, LDK dhe AAK, e cila kësaj radhe e ka në fushatë edhe Ramush Haradinajn”.

Mazllum Baraliu, që ishte dikur edhe Kryeshef i KQZ’së, ka pritur një fushatë dukshëm me programore dhe më reale në këto zgjedhje.

“Kam pritur një fushatë dukshëm më programore, më reale. Mendoj se një pritje të tillë e kanë pasur edhe qytetarët, votuesit potencialë”.

“Subjektet politike duhet të tregohen shumë më të kujdesshme, sepse nëse nuk arrijnë t’i joshin qytetarët me programet e tyre, mund të ketë dalje të ulët në zgjedhje dhe, për pasojë, edhe mungesë të legjitimitetit të organeve komunale”.