Presidentja Vjosa Osmani nderon sakrificën e dëshmorëve para nisjes së parakalimit për 18-vjetorin e Pavarësisë
Pak para nisjes së parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim solemn, duke përkujtuar sakrificën e brezave dhe kontributin e të gjithë atyre që e bënë të mundur lirinë dhe sovranitetin e vendit. “Kosova është një shtet i…
Lajme
Pak para nisjes së parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim solemn, duke përkujtuar sakrificën e brezave dhe kontributin e të gjithë atyre që e bënë të mundur lirinë dhe sovranitetin e vendit.
“Kosova është një shtet i lirë, i papërkulur dhe i vendosur ta mbrojë lirinë e vet. Është republikë e pavarur, sovrane, e guximshme, e fortë dhe krenare, me miq të shumtë ndërkombëtarë. Ajo është atdheu ynë i përhershëm, shtëpia jonë, vendi ynë dhe e ardhmja jonë e përbashkët”, tha Presidentja Osmani.
Ajo theksoi se sot nën përulemi me respekt para të gjithë atyre që kontribuan për këtë ditë dhe nuk u dorëzuan, edhe kur rruga dukej e gjatë dhe e errët. Presidentja përkujtoi vizionin historik të themeluesit të Republikës dhe presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili në kohën e represionit mbajti gjallë shpresën, dinjitetin dhe identitetin e popullit të Kosovës, duke bërë që paqja të bëhej një akt guximi dhe urtësie politike.
Presidentja Osmani nderoi veçanërisht sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Jashari, me komandantin legjendar Adem Jashari, simbol i përjetshëm i flijimit për lirinë, si dhe të gjithë djemtë dhe vajzat që luftuan në UÇK, bijtë dhe bijat më të mira të vendit.
“Si Presidente e këtij vendi, i jap mbështetje të fuqishme këtij marshi, sepse qytetarët tanë nuk kërkojnë asgjë tjetër veç drejtësisë,” përfundoi ajo.
Parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës do zhvillohet pas pak duke përkuar me festimet solemne të qytetarëve për 18-vjetorin e Pavarësisë. /Lajmi.net/