Presidentja Shiroka Pula takon drejtorin e lartë të IRI-së, diskutojnë për zhvillimin demokratik të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim drejtorin e lartë për Evropë dhe Euroazi në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI), Stephen B. Nix. Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me këtë institut. Presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar kontributin e IRI-së në avancimin e…

Lajme

11/11/2026 12:02

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim drejtorin e lartë për Evropë dhe Euroazi në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI), Stephen B. Nix.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me këtë institut.

Presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar kontributin e IRI-së në avancimin e demokracisë dhe forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë, veçanërisht në mbështetjen e partive politike, përmirësimin e organizimit të tyre dhe zhvillimin e komunikimit me qytetarët.

Ajo ka çmuar gjithashtu bashkëpunimin e këtij instituti me Kuvendin e Kosovës dhe angazhimin për fuqizimin e grave në politikë dhe vendimmarrje.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar se konsolidimi i demokracisë kërkon institucione funksionale, respektim të ndarjes së pushteteve, pavarësi të gjyqësorit dhe përgjegjësi institucionale.

Ajo ka nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së rendit kushtetues, respektimit të kompetencave të secilit institucion dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Në takim është diskutuar edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe IRI-së, me fokus në edukimin demokratik, luftimin e dezinformimit dhe promovimin e debatit politik.

Po ashtu, janë trajtuar çështje që ndërlidhen me sigurinë rajonale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.