Presidentja Osmani takon shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend. Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që raportet e publikuara nga OSBE të jenë të bazuara në fakte të…

Lajme

29/07/2025 16:27

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që raportet e publikuara nga OSBE të jenë të bazuara në fakte të verifikuara dhe të konfirmuara nga institucionet e sigurisë në Kosovë, duke kërkuar që ato të pasqyrojnë saktësisht realitetin në terren, transmeton lajmi.net

“Është e domosdoshme që raportimet të reflektojnë drejt situatën faktike në Kosovë, përfshirë incidentet që ndodhin në veri, të cilat duhet të dokumentohen me saktësi dhe paanshmëri,” theksoi Presidentja.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për ndërhyrjet ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës, përfshirë presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve serbë në përpjekje për të penguar integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, Osmani ritheksoi se sundimi i ligjit dhe sovraniteti institucional janë thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në vend.

Presidentja nënvizoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe gjithëpërfshirjes, duke e konsideruar bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare si OSBE të rëndësishëm për arritjen e këtyre qëllimeve.

Ambasadori McGurk, nga ana e tij, konfirmoi gatishmërinë e Misionit të OSBE-së për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, në veçanti në fushat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Njoftimi i plotë: 

Presidentja Osmani takoi shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në vend.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që raportet e OSBE-së të pasqyrojnë me saktësi realitetin në terren, dhe që incidentet e raportuara të jenë të bazuara në fakte të verifikuara dhe të konfirmuara edhe nga institucionet e sigurisë në Kosovë.

Presidentja diskutoi edhe për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe adresimin e ndërhyrjeve ilegale nga Serbia, përfshirë presionin që ushtrohet nga Serbia ndaj qytetarëve serbë në Kosovë me qëllim të pengimit të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Tutje, Presidentja Osmani theksoi se përkushtimi i institucioneve të Kosovës për paqe, stabilitet dhe gjithëpërfshirje mbetet i palëkundur./lajmi.net/