Presidentja Osmani reagon për situatën me zjarret: Kërkohet reagim i menjëhershëm dhe i koordinuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me situatën alarmante të zjarreve që kanë përfshirë shumë komuna të vendit. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka shprehur solidaritet me qytetarët dhe ka kërkuar veprim të shpejtë nga të gjitha institucionet, transmeton lajmi.net “Komuna të shumta të vendit tonë po përballen me vatra të shumta…

Lajme

26/07/2025 21:58

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me situatën alarmante të zjarreve që kanë përfshirë shumë komuna të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka shprehur solidaritet me qytetarët dhe ka kërkuar veprim të shpejtë nga të gjitha institucionet, transmeton lajmi.net

“Komuna të shumta të vendit tonë po përballen me vatra të shumta zjarri që po shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore. Situata është sfiduese dhe kërkon reagim të koordinuar dhe të menjëhershëm nga të gjitha nivelet”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se shpreh solidaritet me qytetarët e prekur dhe mirënjohje për ekipet që po përballen me flakët.

Ajo ka falënderuar zjarrfikësit, punonjësit e emergjencës dhe vullnetarët që po punojnë me përkushtim dhe guxim në terren. Osmani theksoi se institucionet janë të mobilizuara dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri për të intervenuar nëse kërkohet.

Presidentja u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, duke kërkuar që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë çdo vatër të dyshimtë.

“Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve. Mbështetja dhe bashkëpunimi i secilit prej nesh është thelbësor për ta përballuar këtë situatë”, përfundoi ajo./lajmi.net/