Presidentja Osmani pas takimeve të sotme: Konstituimi i Kuvendit është detyrim, jo opsion
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar ciklin e takimeve konsultative me partitë politike në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në takimet e mbajtura të enjten, Presidentja ka pritur liderët e partive Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT. Sipas njoftimit…

Lajme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar ciklin e takimeve konsultative me partitë politike në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në takimet e mbajtura të enjten, Presidentja ka pritur liderët e partive Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka ritheksuar se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është një obligim kushtetues dhe se afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor, transmeton lajmi.net.
“Zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion”, ka deklaruar Presidentja Osmani.
Ajo ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve politikë që të veprojnë me përgjegjësi dhe në frymën e bashkëpunimit, për të gjetur një zgjidhje brenda afatit kushtetues.
“Mungesa e legjislativit po krijon një vakuum institucional që shkakton erozion të demokracisë dhe dëmton funksionimin e shtetit,” është shprehur Osmani, duke theksuar rëndësinë e tejkalimit të krizës politike.
Presidentja ka paralajmëruar se do të vazhdojë me takime të tjera konsultative edhe me partitë e mbetura parlamentare gjatë ditëve në vijim, në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe funksionalizimit të institucioneve.
KOMUNIKATA E PLOTË:
Presidentja Osmani mbajti takime konsultative me liderët e partive: Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të ciklit të ri të konsultimeve lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25, ka mbajtur sot takimet konsultative me liderë të partisë: Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT.
Presidentja Osmani ka ritheksuar se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion.
Më tej, Presidentja Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të gjendet rrugëdalja për konstituimin e Kuvendit.
Presidentja Osmani nënvizoi se mungesa e legjislativit po krijon një vakuum institucional që shkakton erozion të demokracisë dhe dëmton funksionimin e shtetit.
Në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament edhe përgjatë ditëve në vijim./lajmi.net/