Presidentja Osmani në Arabinë Saudite – në komunikatën përmbledhëse vë në fokus njohjen nga Siria dhe takimin me djalin e Donald Trump
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një seri takimesh bilaterale dhe multilaterale, duke forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe hapur perspektiva të reja për integrimin ndërkombëtar të Kosovës. Në fokus të vizitës ishin takimet me liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë: Lartësinë e Tij Mbretërore Mohammed…
 
                        Lajme
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një seri takimesh bilaterale dhe multilaterale, duke forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe hapur perspektiva të reja për integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
Në fokus të vizitës ishin takimet me liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë: Lartësinë e Tij Mbretërore Mohammed bin Salman, Princin e Kurorës së Arabisë Saudite; Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani; Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev; dhe Princin e Kurorës së Jordanisë, Hussein bin Abdullah al-Hashimi.
Vizita kulmoi me një moment historik për Kosovën: njohjen e Republikës së Kosovës nga Siria, gjatë një takimi trilateral mes Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, Presidentes Osmani dhe Presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa.
Presidentja Osmani pati gjithashtu takime me investitorë dhe drejtues të projekteve ndërkombëtare, si Yasir Al-Rumayyan, Guvernatorin e Public Investment Fund të Arabisë Saudite, dhe Talal Almarri, Drejtorin Ekzekutiv të Expo 2030 Riyadh.
Përveç kësaj, Presidentja u takua edhe me liderë dhe figura ndërkombëtare si Paul Kagame, President i Ruandës; Mohamed Irfaan Ali, President i Guajanës; Cevdet Yılmaz, Zëvendëspresident i Turqisë; Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë; Gianni Infantino, President i FIFA-s; dhe Donald Trump Jr., biznesmen dhe djali i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në kuadër të Future Investment Initiative (FII), Osmani mori pjesë në tryezën e liderëve, ku u diskutua tema “Cila është kostoja e sigurisë ekonomike?”, me fokus tek rritja e qëndrueshme ekonomike, dialogu, investimet në infrastrukturë dhe transformimi digjital.
Presidentja Osmani u prit me nderime ushtarake dhe mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman. Për mbarëvajtjen e vizitës dhe planet për bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, Osmani dha intervista ekskluzive për Al Arabiya dhe Arab News./lajmi.net/
 
                                                       
                                                       
                                                      