lajmi.net

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin `Grand Excellence 2024`

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Çmimin “Grand Excellence 2024” nga Qendra Albanian Excellence. Ky çmim i është akorduar për angazhimin e saj të palëkundur në ruajtjen dhe forcimin e shtyllave themelore të shtetësisë së Kosovës dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare. Në ceremoninë solemne të mbajtur në Tiranë,…

Lajme

21/12/2024 16:27

Në ceremoninë solemne të mbajtur në Tiranë, çmimi u pranua në emër të presidentes Osmani nga këshilltarja e saj, Donika Kadaj.

Gjatë fjalës së saj, Kadaj theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi si një njohje e rolit të Presidentes në avancimin e kauzës së Kosovës.

“Kosova është një shtet i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha dhe mbi një histori krenarie, rezistence dhe lufte për liri e drejtësi. Këto sakrifica na kujtojnë përherë përgjegjësinë tonë për të mbrojtur dhe avancuar sovranitetin, shtetësinë dhe integritetin tonë territorial,” deklaroi Kadaj.

Ajo vlerësoi përpjekjet e presidentes Osmani për të forcuar partneritetet strategjike ndërkombëtare dhe për ta promovuar Kosovën si një shtet demokratik.

“Presidentja Osmani ka qenë një zë i fuqishëm për mbrojtjen e këtyre vlerave, duke i vendosur ato në qendër të agjendës së saj kombëtare dhe ndërkombëtare. Përmes angazhimeve të saj institucionale, Presidentja ka forcuar partneritetet strategjike me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke siguruar që Kosova të njihet si një shtet demokratik dhe i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit global,” shtoi Kadaj.

Çmimi “Grand Excellence 2024” është një njohje e rëndësishme e rolit udhëheqës të Presidentes Osmani në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, në promovimin e drejtësisë për viktimat e luftës, dhe në përforcimin e imazhit ndërkombëtar të vendit.

LM