Osmani: Disa kishin qëndrim që nuk mund të krijojnë shumicën, u kërkua edhe një takim për mundësinë e propozimit të një mandatari të ri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me krerët e partive politike ka folur për media. Osmani tha se ajo ka kohë deri me 5 nëntor për të parë nëse dikush e ka shumicën parlamentare, transmeton lajmi.net. “Gjatë këtij takimi që është ftuar në përputhje me obligimin tim kushtetues, që t’i konsultoj partitë parlamentare, diskutuam…

Lajme

31/10/2025 14:51

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me krerët e partive politike ka folur për media.

Osmani tha se ajo ka kohë deri me 5 nëntor për të parë nëse dikush e ka shumicën parlamentare, transmeton lajmi.net.

“Gjatë këtij takimi që është ftuar në përputhje me obligimin tim kushtetues, që t’i konsultoj partitë parlamentare, diskutuam për një sërë çështjesh, kryesorja sigurisht ishte obligimi në bazë të nenit 95, pika 4 e Kushtetutës, që këto konsultime të ndodhin para caktimit të mandatarit tjetër dhe diskutuam në rrjedhë të kësaj nëse dikush nga partitë politike që ishin të ulura rreth asaj tavoline e kanë shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë.”

“Disa prej përfaqësuesve kishin qëndrim që nuk mund të krijojnë shumicë, kishte edhe qëndrime që të takohemi sërish për të parë mundësin e propozimit të një mandatari të ri, megjithatë sipas Kushtetutës, institucioni i Presidentes i ka 10 ditë deri në marrjen e vendimit, në qoftë se mandatohet mandatari i dytë apo jo. Ky afat skadon me 5 nëntor. Deri me atë datë, unë do të komunikoj sërish me kryetarët e partive, jo domosdoshmërish do të mbaj takime individuale me secilin sepse ka nga ta që mendojnë se është ezauruar çdo mundësi, por megjithatë, do të jem në komunikim me ta dhe kushdo që ka gatishmëri që të takohemi për të parë përfundimisht nëse ka mundësi për caktimin e mandatarit tjetër apo jo, do t’i pres në takim. Siç e dini, aktgjykimet e Kushtetueses e kanë lënë në diskrecion të presidentes çështjen e mandatarit të dytë, ky diskrecion do të shfrytëzohet në ditët në vijim, para vendimit final, që më së largu do të jetë me 5 nëntor. A do të ketë propozim për mandatar tjetër apo jo, është çështje e partive politike, kishte qëndrime jo unike, nuk kishte unanimet të plotë rreth asaj se a mund të ketë mandatar tjetër apo jo.”, tha ajo fillimisht.

Tutje, Osmani foli edhe për çështjen e buxhetit dhe Planit të Rritjes.

“Çështja e dytë që e kam ngritur nëse mund të gjejmë rrugë përpara me dakordim të partive politike për procedim të buxhetit dhe Planit të Rritjes, një instrument i BE-së nëpërmjet cilës Kosovës i jepen mbi 800 milionë euro dhe sa më shumë që kemi vonesa, ne më shumë humbasim qasje në këto fonde dhe ai dokument kërkon ratifikim prej dy të tretave në Kuvend. Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madhe për procedim të buxhetit, i cili sot ishte miratuar nga qeveria. Megjithatë unë propozova që të shikojmë mundësi tjera Kushtetuese dhe njëra prej tyre është që të miratohet zgjatja buxhetore, pra nuk është buxhet i ri, por zgjatje e buxhetit të vjetër, që qytetarët tanë deri me 31 mars 2026 të mos përballen me një situatë ku nuk kanë paga dhe nuk kanë mirëqenie, kjo do të ishte një situatë e rëndë dhe në qoftë se pas këtyre zgjedhjeve potenciale nuk kemi institucione shumë shpejtë, atëherë mund të mbesim pa buxhet në tërësi. Rrjedhimisht propozimi im ishte që të gjejmë rrugë përpara, kishte aty shqetësime rreth procedurave, prandaj propozimi im ishte që sipas nenit 79 të Kushtetutës, që nëse ata nuk dakordohen si nisma legjislative nga qeveria, atëherë atë detyrim ta marrë unë dhe si presidente t’i procesoj edhe zgjatjet buxhetore edhe Planin e Rritjes si ligje në Kuvend, meqenëse nuk i kam kompetencat e kufizuara, kjo e drejtë njihet sipas nenit 79 të Kushtetutës.”, tha Osmani./lajmi.net/