Presidentja Osmani bojkoton Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin, kjo është arsyeja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë vendim për bojkotim të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin të Kinës.

Lajme

08/12/2021 20:12

Arsyeja e bojkotit të këtij organizimi nga Osmani është shkelja e të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze.

Kjo është bërë e ditur për lajmi.net nga Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencën e Kosovës.

Kupina tha se vendimi i Vjosa Osmanit vjen pas bojkotimit nga ana e shteteve tjera demokratike, si SHBA, Australi dhe Britani e Madhe.

“Presidentja Osmani mbështet vendimin e ShBA-ve për bojkotin diplomatik ndaj Kinës. Sikurse edhe homologët e saj nga ShBA-ja, Australia dhe Britania e Madhe, Presidentja Osmani shkaku i shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze, do t`i bojkotoj Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin”, tha Bekim Kupina.

Madje ai theksoi se ky bojkot diplomatik, sikurse edhe i vendeve të tjera, nënkupton se ekipet garuese marrin pjesë në Lojëra, por se Presidentja e Kosovës do t’i bojkotojë të gjitha ceremonitë dhe aktivitete zyrtare për krerët e delegacioneve gjatë Lojërave Olimpike në Pekin.

Ndryshe vendimet për bojkotim nga ana e shteteve të mëdha vijnë pas thirrjeve nga popullatat e tyre, me arsyetimin se autoritetet kineze po vazhdojnë keq-trajtimin ndaj myslimanëve ujgurë, si dhe shtresat e tjera të popullsisë.

Presidentja Osmani pati marrë pjesë në Lojërat Olimpike Verore të zhvilluara në Tokio.

Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022” nga atletë në disa disiplina

Ky bojkot diplomatik, sikurse edhe i vendeve të tjera, nënkupton se ekipet garuese marrin pjesë në Lojëra, porse Presidentja e Kosovës do t’i bojkotoj të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet zyrtare për krerët e delegacioneve gjatë Lojërave Olimpike në Pekin./Lajmi.net/