“Presidentja ende s’ka nënshkruar, por e ka në mandat siç e pati Thaçi kur ia vazhdonte mandatin EULEX-it”- nga Presidenca i kundërpërgjigjen deputetit Behrami

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami sot përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka vazhduar mandatin EULEX-it në Kosovë, e që sipas tij rrjedhimisht kjo i vazhdon mandatin edhe Gjykatës Speciale. Behrami ka shkruar se Osmani këtë e ka bërë në mënyrë tinëzare, pa debat publik, në mënyrë…

Lajme

09/06/2025 13:29

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami sot përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka vazhduar mandatin EULEX-it në Kosovë, e që sipas tij rrjedhimisht kjo i vazhdon mandatin edhe Gjykatës Speciale.

Behrami ka shkruar se Osmani këtë e ka bërë në mënyrë tinëzare, pa debat publik, në mënyrë të fshehtë dhe sipas tij ajo po fsheh përmbajtjen.

“Vazhdimi i misionit të EULEX-it, pas padrejtësive në Gjykatën Speciale e pa debat, është skandaloz. Presidentja është dashur të negociojë vazhdimin e mandatit, të paktën me kusht që EULEX të marrë përsipër garancitë që kërkon Gjykata Speciale për lirim nga paraburgimi dhe mbrojtje në liri të krerëve të UÇK-së. EULEX është mekanizmi kryesor i Gjykatës Speciale në Kosovë!”, ka thënë Behrami.

Në lidhje me këtë, për lajmi.net ka folur këshilltari për media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina i cili ka thënë se deputeti Artan Behrami po shpif.

Kupina ka thënë se Presidentja as nuk i cakton e as nuk i vazhdon mandat Gjykatës Speciale, shkruan lajmi.net.

“Mandati i kësaj gjykate është përcaktuar me amandament kushtetues të votuar nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës dhe ai nuk mundet as të ndryshohet e as të ndërpritet apo vazhdohet nga institucioni i Presidencës”, ka thënë Kupina për lajmi.net.

Në lidhje me mandatin e EULEX-it, Kupina ka thënë se Presidentja ende nuk ka nënshkruar asgjë.

“Presidentja ende nuk ka nënshkruar asgjë sa i përket mandatit të EULEX-it, edhe pse është plotësisht në mandatin e saj ta bëjë një gjë të tillë, siç ka qenë njësoj në mandatin e Presidentit Thaçi, kur ai ia vazhdonte mandatin teknik të EULEX-it, për mentorim, monitorim dhe këshillim. Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, është përcaktuar në Vendimin e Këshillit të BE-së të datës 5 qershor 2025, vendim ky që është publik”, ka thënë Kupina.

Mandati i EULEX-it në Kosovë është deri më 14 qershor të këtij viti, dhe aktualisht udhëhiqet nga shefi i misionit, Giovanni Pietro Barbano.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje. Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është të mbështesë institucione të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

Mandati aktual i EULEX-it është filluar për të mbuluar periudhën deri më 14 qershor 2025 në bazë të Vendimit të Këshillit 2023/1095. Në kuadër të mandatit të tij, Misioni zhvillon aktivitete të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara.

Misioni funksionon brenda kornizës së Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244. /Lajmi.net/