​Presidentja e re përballë sfidave të mëdha, këto konsiderohen prioritetet e para për Shiroka-Pulën

Ruajtja e kushtetutshmërisë, koordinimi ndërinstitucional, forcimi i rolit të Kosovës në politikën e jashtme, si dhe angazhimi në çështjet që lidhen me ish-krerët e UÇK-së, janë disa nga sfidat që, sipas njohësve të çështjeve politike, e presin presidenten e re Justina Shiroka-Pula. Ish-diplomati Albert Prenkaj thotë për KosovaPress se, mbi të gjitha, presidentja duhet të…

Lajme

08/10/2026 15:30

Ruajtja e kushtetutshmërisë, koordinimi ndërinstitucional, forcimi i rolit të Kosovës në politikën e jashtme, si dhe angazhimi në çështjet që lidhen me ish-krerët e UÇK-së, janë disa nga sfidat që, sipas njohësve të çështjeve politike, e presin presidenten e re Justina Shiroka-Pula.

Ish-diplomati Albert Prenkaj thotë për KosovaPress se, mbi të gjitha, presidentja duhet të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe funksionimin e institucioneve në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese.

Por, përtej rolit të saj në planin e brendshëm, Prenkaj vlerëson se presidenca mund të ketë peshë të veçantë edhe në politikën e jashtme. Sipas tij, presidentja e re mund të kontribuojë në intensifikimin e komunikimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe në forcimin e përfaqësimit të vendit jashtë.

Çfarë e pret presidenten e re të Kosovës?

“Presidentja në këtë rast është garantuese e Kushtetutës dhe e kushtetutshmërisë. Pra, ky është prioriteti i të gjitha prioriteteve i një presidenti sipas Kushtetutës së Kosovës. Pra, presidentja në këtë rast duhet të përpiqet që, pa kompromis, të ruajë kushtetutshmërinë e funksionimit të të gjitha institucioneve të Kosovës… Kjo është prioriteti kryesor, por edhe në politikën e jashtme presidentja ka një rol të veçantë në këtë rast. Mendohet se një person me kredibilitet dhe me integritet, çfarë besohet se është presidentja Pula, mund ta kthejë Kosovën në arenën ndërkombëtare, meqenëse mendohet se Kosova është e izoluar në aspektin e komunikimit me botën, pra me politikën e jashtme, pra është një farë izolimi ose kemi një politikë të jashtme komplet të plogësht. Në këtë drejtim, presidentja pra mund të jetë një figurë e rëndësishme, përfaqësuese e politikës së jashtme, edhe përkundër faktit se ne kemi ministrin e Jashtëm dhe kemi Ministrinë e Jashtme. Në këtë aspekt mendoj që ka një rol të veçantë në këtë momentum në të cilin gjendet Kosova”, thotë ai.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, kërkon një koordinim më të madh ndërmjet Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit.

Ai thotë se institucionet duhet të kenë një qasje të përbashkët, veçanërisht në politikën e jashtme, në mënyrë që Kosova të paraqitet me qëndrime të unifikuara para partnerëve ndërkombëtarë.

Arifi e sheh si të rëndësishme edhe çështjen e Gjykatës Speciale, sidomos pas miratimit të Ligjit të ri për Dhomat e Specializuara. Sipas tij, duhet krijuar një task-force, e cila do të koordinonte dhe monitoronte zhvillimet që lidhen me këtë proces, pas dënimit të katërshes së UÇK-së.

“Koordinim Presidencë, Kuvend”, këto janë pritjet për presidenten Shiroka-Pula

“Do të duhej të kishim një dinamikë më ndryshe nga Presidenca. Pra, që të krijohet një urë më e thelluar e bashkëpunimit Presidencë–Qeveri–Kuvend, por edhe me partitë politike. Dhe gjithsesi, për shkak të urgjencës që e kemi me çështjen e Gjykatës Speciale, do të duhej që sot të kërkohej inicimi i një task-force. Kush do ta udhëheqë, a do të formohet ky trekëndëshi Parlament–Presidencë–Qeveri që të koordinohet dhe monitorohet gjithçka në kohë reale… Presidenca duhet të ketë, po themi, timonin së bashku me Ministrin e Jashtëm, pra të jenë në një linjë, nuk guxon të ketë mospajtime, sepse atëherë dalim shtet jo i koordinuar, jo serioz dhe që ka variacione të ndryshme në interpretime të politikës së jashtme. Pra, kjo nuk guxon të ndodhë. Dhe, në njëfarë mënyre, unë mendoj që dyert mund të hapen nëse Departamenti i Shtetit, Uashingtoni, Shtëpia e Bardhë binden që Kosova duhet të jetë në mesin e shteteve të barabarta, sepse për momentin trajtimi ndaj Kosovës nuk është i barabartë, siç është me vendet e tjera të rajonit”, thekson Arifi.

Ndërkohë, edhe Prenkaj e sheh presidenten e re si një figurë që mund të mbledhë rreth vetes ekspertë për çështjet që lidhen me proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas tij, një prej hapave të parë do të duhej të ishte edhe komunikimi zyrtar me Brukselin dhe Hagën për çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe Gjykatën Speciale.

“Por ajo që është me rëndësi dhe çfarë pamë në 20 ditët e kaluara është që presidentja të bëhet një strumbullar rreth së cilës do të mblidhen ekspertët që do të luajnë rol të rëndësishëm shtetëror në mbrojtjen, gjegjësisht faktimin e pafajësisë së udhëheqësve të UÇK-së dhe ish-zyrtarëve më të lartë shtetërorë, pra president, kryetar Kuvendi, anëtarë të Kuvendit. Mendohet se një nga prioritetet e para dhe të ditëve të para të presidentes është që të përpilohet letërkëmbimi me Brukselin zyrtar, pra një letërkëmbim i cili do të kërkojë nga Brukseli zyrtar, por edhe nga Haga zyrtare, që të bëhet amendamentimi i marrëveshjes ndërkombëtare të cilën e kemi tashmë, letërkëmbimi zyrtar. Pra, ligji i cili është nxjerrë, ligji i fundit për plotësim-ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, do të duhej të amendamentonte këtë marrëveshje ndërkombëtare që e kemi, pra ligjin e vjetër”, deklaron ai.

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente mesnatën mes 6 dhe 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e 81 deputetëve, pas marrëveshjes mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë më të madhe opozitare, PDK.