Presidentja bëri homazhe në Suharekë dhe Krushë të Vogël
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga sot ka bërë homazhe para 27 trupave të personave të zhdukur nga Suhareka, të cilët u rivarrosën sot. Jahjaga gjithashtu bëri homazhe edhe në fshatin Krushë e Vogël, para 19 trupave të personave të zhdukur të këtij fshati.
Lajme
Pas homazheve në Suharekë, Jahjaga tha se edhe pse është e dhimbshme për familjarët, ata tashmë së paku e dinë se ku prehen më të dashurit e tyre.
“Varrosja e familjarëve, të cilët pamëshirshëm u masakruan nga forcat ushtarake, paramilitare të okupimit serb, është një rast i rëndë, është një rast i vështirë, është një rast i dhembshëm”.
“Por, përkundër asaj që është një rast i rëndë, një rast i dhembshëm, gjithsesi është një ngushëllim për familjarët dhe për të gjithë ata që humbën më të dashurit e tyre, që tash e tutje kanë një vend ku këta martirë të lirisë së Kosovës do të prehen përjetësisht”.
Presidentja Jahjaga tha se martirët e lirisë janë dëshmia më e mirë se sot populli i Kosovës është një popull i lirë e i pavarur.
Ajo kujtojë sakrificën e të gjithëve që ranë për liri dhe tha se populli i Kosovës për shkak të sakrificës së tyre tashmë ka një të ardhme më të sigurt drejtë integrimeve euroatlantike.
“Këta martirë të lirisë janë dëshmia më e mirë që ne jemi sot një popull i lirë, një popull sovran dhe një popull i pavarur, duke realizuar edhe idealin e gjeneratave të tëra”.
“Ne me pietet kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre burrave dhe grave, që ne sot të jemi një popull i lirë, të jemi një popull i dinjitetshëm, të jemi një popull sikur të gjithë popujt e tjerë të botës, me një të ardhme të sigurt drejt integrimeve euroatlantike dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” tha Presidentja Atifete Jahjaga.