Presidenti i UEFA: Manchester City janë aset i vlefshëm për ne

Presidenti i UEFA, Alexander Ceferin, ka dhënë disa komente lidhur me skuadrën e Manchester City.

Sport

05/03/2020 20:45

Javë më parë, UEFA ka dënuar skuadrën e Man City me dy vite mos paraqitje në garat evropiane, duke futur skuadrën në një krizë.

Por, përkundër dënimit, presidenti i UEFA duket se akoma ka shumë respekt për kampionët aktual të Premierligës.

“Së pari, para vendimit të CAS, nuk duhet të komentojmë këtë. Por, kushdo që fiton Ligën e Kampionëve, është mirë. Secila skuadër që fiton, më pëlqen. Nuk është problem. Do të doja të shihja finale fantastike në Stamboll. Kjo më intereson” ka thënë Ceferin për ‘Sky Sports News’, transmeton lajmi.net.

Tutje, presidenti i shtëpisë më të madhe të futbollit në Evropë, ka thënë se ka akoma respekt për ‘Citizens’.

“Ata janë aset i yni, kam respekt për ta, janë klub i yni. Nuk dua të them se  tani nuk e pëlqejmë Manchester City. Ne i pëlqejmë ata, janë klub i yni. Por, në këtë proces unë nuk interferoj” ishin fjalët e Ceferin.

“Nuk po luftojmë me askënd. Ne me profesionalizëm mbrojmë pozicionin tonë. Nuk më pëlqen që flasim vetëm për Man City. Ne kemi dënuar pesë deri në 10 skuadra për sezon. Është procedurë e rregullt. Të shohm” ka thënë ndër të tjerash presidenti i UEFA.

Mbetet të shihet nëse Man City do të arrijë ta fitojë apelin në CAS, për pjesëmarrje në garat evropiane. /Lajmi.net/