Presidenti i Prishtinës në futsall, Dili: Barcelona na ka ndihmuar shumë, falë Vokrrit kemi arritur këtu

Presidenti i klubit të futsallit, Mabetex Prishtina, Fatos Dili është i lumtur që do përballen ndaj kampionit të Ligës së Kampionëve, Barcelona.

Sport

12/01/2021 21:27

Prishtina do përballet me Barcelonën në raundin e 1/32 të Ligës së Kampionëve, ndeshje që e zhvillojmë si mysafirë.

Dili në një intervistë për lajmi.net, e cilësojë këtë vit si të suksesshëm për Prishtinën, që arritën të fitojnë titullin dhe siguruan pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

“Ky është një vit që do mbahet mend për gjithë botën, si një pandemi që ka shkaktuar shumë probleme, por klubi i futsallit ‘Mabetex Prishtina’ do mbajë mend që këtë vit të pandemisë ka arritur edhe suksese të mëdha. Kemi arritur që të shpallemi kampion i Kosovës pas dhjetë viteve dhe po ashtu jemi pjesë e Ligës së Kampionëve, pra me fillim këto kanë qenë dy sukseset që ne i veçojmë”.

Dili tutje tregoi për ndihmën e madhe që i ka dhënë UEFA dhe sidomos klubi Barcelona, në procedurën e vizave, me të cilat janë pajisur pas vetëm pesë apo gjashtë ditëve.

“Po vetë fakti që UEFA ka lënë të dy skuadrat në një vazo, kjo do të thotë se automatikisht  ne dhe Spanja njihemi. Tani me këtë udhëtim tonin si klubi i parë që vjen zyrtarisht në Spanjë, është thyer edhe kjo barrierë, meqenëse UEFA ka edhe një ligj në fuqi në vitin 2019 që të gjitha shtetet që nuk pranojnë të luajnë kundër Kosovës humbin me rezultat zyrtarë dhe shteti spanjoll këtë nuk ia u bën klubeve të veta dhe këtu ka ndërhyrë ministria e jashtme spanjolle që ka dërguar një letër me të gjithë delegacionin që të pajisen me vizën dhe kemi vazhduar në ambasadën e Spanjës në Maqedoni duke ndjekur procedurat, mirëpo kanë qenë shumë të shpejtë sepse FFK, UEFA dhe Barcelona kanë ndihmuar në këtë mënyrë dhe për pesë apo gjashtë ditë jemi pajisur me viza spanjolle”.

Presidenti i klubit gjithashtu zbuloi ndihmën e madhe që kishte dhënë i ndjeri, ish presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri në zhvillimin e futsallit në Kosovë.

“Ne mendojmë që përkundër suksesit të kësaj ndeshje që na është dhënë nuk duhet të harrojmë rrugën se nga jemi nisur dhe ku do të kthehemi sepse ne atje kemi vetëm një ndeshje dhe do kthehemi në Kosovë, do kemi përgjegjësi më të madhe për lojtarët dhe klubet e tjera që nuk duhet harrojnë nga kanë ardhur. Ne kemi borxh që nuk do ia kthejmë kurrë presidentit Vokrri, sepse ne kemi filluar me përkrahjen e tij, kur ne nuk kemi pasur as topa për të zhvilluar ndeshje, as mjete për të paguar referat ishte presidenti Vokrri ai i cili që të zhvillojmë ndeshjet pa pagesë, apo të na gjejë tifozë”.

Dili pranoi se asnjëherë nuk ka menduar se do këtë shpenzime q të mëdha, derisa tregoi edhe për shpenzimet për ndeshjen Prishtina – Tirana.

“Realisht ne nuk kemi menduar asnjëherë se do arrijmë në këtë nivel që duhet të ketë kaq shpenzime financiare jo vetëm për një vit, por për një muaj sepse kemi pasur një ndeshje si vendas dhe UEFA i specifikon shumë gjëra, si pagesa e hotelit për mysafirin, transportin brena për brenda, organizimin e ndeshjes, rregullat e ndeshjes dhe e gjitha kjo ka pasur koston e vetë, pastaj udhëtimi në Barcelonë është shumë i kushtueshëm”.

I pyetur në fund për parashikimin e rezultatit, Dili tha se sapo të shkelin në aeroportin e Barcelonës do jetë 1 – 0, kurse sa i përket anës sportive iu takon lojtarëve të tregojnë vetën.

“Kjo pyetje nuk mund të ketë ndonjë përgjigje, kaq apo aq. Ne do kemi rezultat të mirë që nga nisja jonë në ekspeditë në Barcelonë sepse kur do shkelim në aeroport do jemi institucion i Barcelonës, pra do jetë delegacion që mirëpritet zyrtarisht nga klubi më i madh spanjoll së bashku me Real Madridin. Është nder i madh që ne do bëjmë sefte në Barcelonë para Kombëtares së Kosovës, pra kemi ndihmuar edhe Kombëtaren që të përcjellë procedurat që do t’i këtë me ndeshjen me Spanjën, ky është rezultati më i mirë sepse nëse flasim për anën sportive, ju e dini që dallimi është shumë i madh edhe pse ne për rajonin tonë qëndrojmë shumë mirë edhe ne vendin e 28-të, por në një gjigant të futsallit dhe sportit në përgjegjësi është tjetër nivel. Mendoj që prania jonë në Barcelonë do jetë rezultat 1 – 0 për ne, pastaj ana sportive i takon lojtarëve që të tregojnë vetën dhe pse jo një ndër ta të jetë fokus i ndonjë skuadre evropiane”.

Ndërkohë, kujtojmë se përballja mes Barcelonës dhe Mabetex Prishtinës zhvillohet të premten e ardhshme (15 janar) duke nisur në ora 18:30./E.Bytyqi /Lajmi.net/