Blondel: Kosova po ndërton një të ardhme të fuqishme për para sportin

Komiteti Paralimpik i Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, lidhur me vizitën e parë në Kosovë të presidentit të Komitetit Paralimpik Evropian (EPC), z. Raymond Blondel. Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, znj. Njomza Emini, u shpreh mirënjohëse për vizitën e Blondel, të cilën e cilësoi si një përkrahje të fuqishme për zhvillimin…

Sport

01/05/2025 15:04

Komiteti Paralimpik i Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, lidhur me vizitën e parë në Kosovë të presidentit të Komitetit Paralimpik Evropian (EPC), z. Raymond Blondel.

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, znj. Njomza Emini, u shpreh mirënjohëse për vizitën e Blondel, të cilën e cilësoi si një përkrahje të fuqishme për zhvillimin e para sportit në vend dhe një vlerësim për përkushtimin e KPK-së në avancimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes përmes sportit.

“Vizita e presidentit Blondel në Kosovë është më shumë se një simbol – është një përqafim i sinqertë për Kosovën dhe për parasportistët tanë, që çdo ditë sfidojnë jo vetëm kundërshtarët në fushë, por edhe vetë jetën, vështirësitë, paragjykimet dhe mungesat,” tha Emini, teksa e falënderoi që me vizitën e tij, ka prekur realitetin e parasportistëve kosovarë.

Nga ana tjetër, presidenti i Komitetit Paralimpik Evropian, z. Raymond Blondel, falënderoi për mikpritjen dhe tha se ishte i impresionuar me përkushtimin dhe vizionin e Kosovës në zhvillimin e parasportit.

“Viti 2023, edhe për mua shënoi një moment shumë emocional, atëherë kur Asambleja Gjenerale e EPC-së, mirëpriti Kosovës si anëtarin më të ri të kësaj familjeje. Një anëtar i ri, me shumë energji, vullnet, këmbëngulje dhe besim për zhvillim të parasportit në shtetin e ri të Kosovës. Atëherë dhe tani e kam parë përkushtimin e jashtëzakonshëm nga Komiteti Paralimpik i Kosovës, në veçanti nga presidentja Njomza Emini dhe ekipi i saj,” u shpreh Blondel.

Blondel në fund, përcolli thirrjen që sporti paralimpik dhe ai olimpik të pozicionohen përherë në nivel të njëjtë. “Po, numri i atletëve mund të mos jetë i njëjti, ashtu siç mund të mos jetë i njëjtë numri i njerëzve të përfshirë apo i klubeve, por mënyra se si duhet t’i qaseni dhe ta perceptoni, duhet të jetë absolutisht e njëjtë dhe e barabartë”, tha ai.

Në konferencë morën pjesë edhe nënkryetari i KPK-së, z. Daut Tishuki, i cili falënderoi Blondel për vizitën dhe ndau planet e afërta të KPK-së për zhvillim të parasportit. Ndërkaq, paraatleti, Grevist Bytyqi, që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Paralimpike Ndërkombëtare “Paris 2024” ritheksoi premtimin që do t’i sjellë vendit një medalje parasportive, teksa, Fatmir Seremeti, paraatleti që po lufton për sigurimin e një vendi për të garuar nën flamurin e Kosovës në Lojërat Paralimpike Botërore të ardhshme, tha që kjo është një ëndërr e bërë realitet për të.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, z. Blondel do të zhvilloj takime me udhëheqës institucionalë, përfaqësues të federatave të parasportit, para atletë dhe partnerë të Komitetit Paralimpik të Kosovës. Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në fuqizimin e lidhjeve të Komitetit Paralimpik të Kosovës me rrjetin evropian të parasportit dhe në promovimin e misionit për një shoqëri më gjithëpërfshirëse përmes sportit.

Kosova në dy vitet e fundit ka shënuar suksese të jashtëzakonshme në përfaqësimin paralimpik ndërkombëtar, duke u anëtarësuar si anëtar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Evropian dhe në atë Ndërkombëtar.