Presidenti i Atletico u jep jetë shpresave të Man City për Rodri

Skuadra e Manchester City është duke planifikuar që gjatë këtij afati kalimtar të përforcohet akoma, duke pasur në fokus repartin e mesfushës.

Sport

16/05/2019 17:32

Është braziliani Fernandinho, i cili mbulon pozitën e mesfushorit defensiv ai që po prek një moshë të shtyrë, e cila ia pamundëson paraqitjet më të mira dhe kësisoj duhet të zëvendësohet.

Dyshimet e mëdha të Ilkay Gundogan mbi të ardhmen kanë bërë që skuadra e Man City të interesohet për një mesfushor dhe emri kryesor që përmendet është ai i Rodri, i cili luan me Atletico Madrid.

‘Citizens’ janë të gatshëm që të ofrojnë rreth 70 milionë euro për lojtarin dhe së fundmi presidenti i madrilenëve u ka dhënë shpresa të mëdha kampionëve të Premierligës.

“Sot për sot, Rodri është lojtar i Atleticos. Por, nëse nesër ai ka një ofertë dhe dëshiron të shkojë…”  ka thënë presidenti Cerezo për ‘El Partifazo’, duke lënë mundësinë e hapur, transmeton lajmi.net.

Skuadra e Atletico Madrid ka marrë një tjetër goditje më herët gjatë kësaj jave, kur Antoine Griezmann ka bërë të ditur se do të largohet nga skuadra.

Mesfushori spanjoll mund të ndjek hapat e Griezmann dhe nga sezoni i ardhshëm të luaj nën urdhrat e Pep Guardiolas. /Lajmi.net/