Presidenti Begaj viziton arbëreshët: Ura e gjallë e miqësisë historike shqiptaro-italiane
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi një takim me komunitetin arbëresh në San Marzano di San Giuseppe, në provincën e Tarantos. Gjatë vizitës, ai u prit me nderime nga autoritetet drejtuese të institucioneve dhe banorët e San Marzanos. Fillimisht, Presidenti Begaj vendosi një kurorë pranë bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në shenjë nderimi…
Lajme
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi një takim me komunitetin arbëresh në San Marzano di San Giuseppe, në provincën e Tarantos.
Gjatë vizitës, ai u prit me nderime nga autoritetet drejtuese të institucioneve dhe banorët e San Marzanos. Fillimisht, Presidenti Begaj vendosi një kurorë pranë bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në shenjë nderimi për figurën që mishëron qëndresën, dinjitetin dhe lirinë e shqiptarëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj vlerësoi mënyrën se si komuniteti arbëresh ka ruajtur ndër shekuj gjuhën, kulturën, besimin, zakonet dhe traditat, duke u integruar njëkohësisht plotësisht në shoqërinë italiane.
“Italianët u hapën dyert. Shqiptarët sollën me vete pasurinë që askush nuk mund t’ua merrte, që lidhet me gjuhën, besimin, zakonet dhe kujtesën. Gjetën një atdhe të dytë, por nuk e humbën kurrë të parin”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi se arbëreshët kanë qenë për pesë shekuj një urë e fuqishme mes dy vendeve dhe një nga themelet më të rëndësishme të miqësisë shqiptaro-italiane.
“Ata, për pesë shekuj, kanë lidhur të shkuarën me të tashmen, Shqipërinë me Italinë, kujtesën me të ardhmen”, deklaroi Presidenti.
Duke iu drejtuar komunitetit arbëresh, Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin e tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore.
“Ju ruajtët gjuhën arbëreshe kur ajo nuk mësohej në shkolla; ruajtët zakonet kur rrethanat ndryshonin; ruajtët besimin, traditat dhe kujtesën duke i përcjellë ato brez pas brezi. Kështu, nuk ruajtët vetëm identitetin tuaj, por edhe një pjesë të identitetit të kombit shqiptar”, theksoi ai.
Presidenti Begaj nënvizoi se kjo trashëgimi nuk mund të mbijetojë vetëm përmes librave, ligjeve apo institucioneve, por duhet të jetojë në familje dhe në marrëdhëniet mes brezave.
“Një gjuhë nuk mbijeton vetëm në libra apo në ligje. Ajo mbijeton kur prindërit ua flasin fëmijëve dhe kur gjyshërit ua mësojnë nipërve. Një këngë nuk ruhet vetëm në skenën e një festivali, por kur këndohet në familje”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-italiane, Presidenti Begaj theksoi se ato sot janë ndër më të shkëlqyerat në nivelin gjeopolitik dhe strategjik, ndërsa nënvizoi rolin historik të komunitetit arbëresh në ndërtimin e kësaj miqësie.
“Por themeli i kësaj miqësie nuk u vendos në tryezat diplomatike të shekullit XXI. Ky themel u vendos shekuj më parë në vatrat arbëreshe”, deklaroi Presidenti, duke shtuar se arbëreshët i treguan shoqërisë italiane “se kush janë shqiptarët: njerëz të punës, të fjalës, të besës, të artit e kulturës”.
Kreu i Shtetit u ndal veçanërisht te rëndësia e ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës arbëreshe te brezat e rinj, duke apeluar që ajo të mos mbetet vetëm një gjuhë e kujtesës.
“Arbërishtja nuk mund të mbetet vetëm gjuhë e kujtesës, por edhe e të sotmes dhe të ardhmes, e jetës praktike dhe e ndërlidhjes midis gjeneratave”, u shpreh Presidenti Begaj.
Ai nënvizoi se mbrojtja e kësaj trashëgimie është një përgjegjësi e përbashkët e komuniteteve, institucioneve, universiteteve, medias, Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës, raporton ATSH.
“Kjo është përgjegjësia jonë. Përgjegjësi që duhet të marrim së bashku: jo vetëm të nderojmë atë që arbëreshët kanë ruajtur për shekuj, por të krijojmë kushtet edhe sot që kjo pasuri të vazhdojë të jetojë, të njihet dhe të frymëzojë”, deklaroi Kreu i Shtetit.