​Presidenca: Vuçiq duhet ta dijë se frikësimi i kosovarëve me “stilin Milosheviq” do të dështojë

Shefi i stafit në kabinetin e Presidencës Blerim Vela ka akuzuar Beogradin zyrtar për presion ndaj qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare, duke thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq duhet ta dijë se ky presion i stilit Millosheviq do të dështojë. Vela në një postim në Twitter ka thënë se një numër i madh…

Lajme

21/08/2022 22:46

Shefi i stafit në kabinetin e Presidencës Blerim Vela ka akuzuar Beogradin zyrtar për presion ndaj qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare, duke thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq duhet ta dijë se ky presion i stilit Millosheviq do të dështojë.

Vela në një postim në Twitter ka thënë se një numër i madh i qytetarëve, përshirë edhe serbët e Kosovës, janë intervistuar e arrestuar në pikat kufitare Kosovë-Serbi.

“Javët e fundit, institucionet e Serbisë (përfshirë shërbimin e saj të inteligjencës) në mënyrë sistematike kanë bërë presion ndaj qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare me Kosovën. Një numër në rritje i qytetarëve kosovarë, përfshirë serbët e Kosovës që punojnë për institucionet kosovare, janë arrestuar dhe intervistuar për disa orë në pikat kufitare Kosovë-Serbi”, ka shkruar Vela.

Ai ka theksuar se qëllimi i veprimeve të tilla nga institucionet e Serbisë është frikësimi dhe sigurimi i informacioneve për persona të rëndësishëm në jetën publike të Kosovës dhe institucionet e sigurisë.

Vela ka thënë se Vuçiq duhet ta dijë se ky presion i stilit Millosheviq do të dështojë.

“Ky presion ndaj qytetarëve të Kosovës dhe shënjestrimi i serbëve të Kosovës që punojnë në institucionet e Kosovës duhet të ndalet. Vuçiq duhet ta dijë se ky presion dhe frikësim i ‘stilit Milosheviq’ do të dështojë!”, ka shkruar ai.