​Presidenca mbështet nominimin e Feride Rushitit dhe KRCT për çmimin Nobel për Paqe

Presidenca e Republikës së Kosovës uron dhe mbështet nominimin e KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims dhe Feride Rushiti për çmimin Nobel për Paqe Organizata QKRMT është mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi nga Presidenca e Kosovës, si dhe, ndër vite, ka qenë ndër partnerët kryesor në organizimin e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen…

Lajme

26/01/2025 18:16

Presidenca e Republikës së Kosovës uron dhe mbështet nominimin e KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims dhe Feride Rushiti për çmimin Nobel për Paqe

Organizata QKRMT është mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi nga Presidenca e Kosovës, si dhe, ndër vite, ka qenë ndër partnerët kryesor në organizimin e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e po kështu në avancimin e kësaj agjende në Kosovë.

Kjo organizatë, jo vetëm që ka kontribuar në procesin e rehabilitimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por kanë luajtur rol kyç në ndërtimin e politikave që mbështesin përmirësimin e mirëqenies dhe statusit të kësaj kategorie në shoqërinë tonë.

KRCT, përpos kontributit të dhënë në Kosovë, njihet si ndër organizatat që ndihmojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe konfliktit në shtete të ndryshme në botë, përderisa ndajnë eksperiencën e Kosovës për ndërtimin e mekanizmave mbështetës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për deputetin suedez, Magnus Jacobsson, i cili ka dorëzuar propozimin te Komiteti Nominues i çmimit Nobel për Paqe. Për më tepër, ai personalisht ishte pjesë e ngjarjeve që përfshinin temën për dhunën seksuale gjatë luftës dhe konfliktit, siç ishte rasti në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.