Presidenca e trazuar e Carterit

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, ka vdekur më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ai ishte djali i një fermeri kikirikësh, i cili u bë presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara dhe laureat i Çmimit Nobel për Paqe, për përpjekjet e tij për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare. Mandati i trazuar i Jimmy Carterit…

Bota

30/12/2024 08:16

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, ka vdekur më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ai ishte djali i një fermeri kikirikësh, i cili u bë presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara dhe laureat i Çmimit Nobel për Paqe, për përpjekjet e tij për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare. Mandati i trazuar i Jimmy Carterit si president i Shteteve të Bashkuara u pasua me filantropi, diplomaci dhe çmimin Nobel për Paqe.

Fermer kikirikësh, oficer detar, aktivist civil- Jimmy Carter u bë presidenti i 39’të i SHBA’së. Mandati i tij katërvjecar ishte shpesh i turbullt.

“Erozioni i besimit tonë në të ardhmen kërcënon ta shkatërrojë strukturën shtetërore dhe politike të Amerikës”, kishte thënë ai.

Mandati i tij u pasua me katër dekada filantropi dhe diplomaci- karriera më e gjatë post-presidenciale në historinë e SHBA’së.

James Earl Carter lindi në vitin 1924 në Plleins të Xhorxhias, qytet me rreth 600 banorë në atë kohë. Shtëpia e tij nuk kishte energji elektrike, as pajisje të brendshme hidraulike. Pas vdekjes së babait të tij, Earl, më 1953, Carter la karrierën ushtarake dhe u kthye për të menaxhuar biznesin e kikirikëve. Më pas fitoi ulëse në Senatin e Xhorxhias dhe përpara se të synonte Shtëpinë e Bardhë, fitoi edhe një mandat si guvernator i shtetit të tij.

Pak njerëz jashtë Xhorxhias e njihnin Carterin, kur ai njoftoi se do të jetë kandidat i Partisë Demokratike për president, në vitin 1976. Kundërshtari i tij republikan ishte presidenti Gerald Ford, i cili e kishte marrë detyrën nga Richard Nixon, pas skandalit Ëatergate.

Në mes të Luftës së Ftohtë, një debat me Fordin u bë fokusi i politikës së tij të jashtme.

“Nuk ka dominim sovjetik në Evropën Lindore dhe nuk do të ketë kurrë nën administrimin e Fordit”, kishte thënë Ford.

“Unë do të doja ta shihja zotin Ford duke i bindur amerikanët polakë, amerikanët çekë, amerikanët hungarezë këtu, se ato vende nuk jetojnë nën dominimin dhe mbikëqyrjen e Bashkimit Sovjetik pas Perdes së Hekurt”, kishte thënë Carter.

Ai e mundi Fordin dhe mori presidencën.

“Në do të jemi gjithmonë vigjilentë dhe kurrë të pambrojtur dhe do t’i luftojmë luftërat tona kundër varfërisë, injorancës dhe padrejtësisë”, kishte thënë Carter.

Në frontin e brendshëm rritja e çmimeve të karburanteve e la në hijë pjesën më të madhe të presidencës së Carterit. Kritikët fajësuan politikat e tij për rritjen e inflacionit.

Carter shënoi disa suksese në politikën e jashtme. Ai ndërmjetësoi marrëvëshjen historike të paqes midis presidentin egjiptian, Anëar Sadat, dhe kryeministrit izraelit, Menachem Begin.

Reduktimin e armëve e bëri prioritet. Bisedimet me udhëheqësin sovjetik, Leonid Brezhnev, u komplikuan për shkak të kritikave që i bënte presidenti amerikan Kremlinit, në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut. Por në vitin 1979 Carter dhe Brezhnev  nënshkruan Traktatin për Kufizimin e Armëve Strategjike, SALT II.

Gjashtë muaj më vonë, kur trupat sovjetike pushtuan Afganistanin, marrëdhëniet me Moskën u ftohën.

“E kam njoftuar Komitetin Olimpik se pas pushtimit të Afganistanit nga forcat sovjetike, as populli amerikan dhe as unë nuk do ta mbështesim dërgimin e ndonjë ekipi olimpik në Moskë.”

Viti i fundit i mandatit tij kishte ditët më të errëta.

Në nëntor të vitit 1979, studentë militantë iranianë sulmuan ambasadën e SHBA’së në Teheran dhe morën peng 52 amerikanë. Pengmarrësit kërkuan kthimin e ish-shahut të Iranit për gjykim, pasi ai u lejua të hynte në SHBA për trajtim të kancerit. Derisa javët ktheheshin në muaj, dy avionë ushtarakë amerikanë u përplasën në tokë, në një shkretëtirë të largët iraniane, gjatë një misioni të dështuar për t’i shpëtuar pengjet.

“Nuk kishte luftime, nuk kishte përplasje, por me keqardhje të thellë e them se tetë nga anëtarët e ekuipazhit të dy avionëve që u përplasën, humbën jetën, dhe disa amerikanë tjerë u lënduan në aksident.”

Debakli në Iran dhe ekonomia e dobësuar penguan përpjekjet e Carterit për të fituar mandatin e dytë presidencial.

Ai u mund nga Ronald Reagan.

Vetëm pak minuta pasi Reagani u betua si president, në janar të vitit 1981,  Irani liroi pengjet amerikane, pasi i mbajti 444 ditë.

Carter u kthye në shtëpinë e tij në Xhorxhia por nuk u tërhoq nga skena botërore. Ai ndërmori një sërë nismash qytetare. Më gruan e tij, Rosalynn, ai themeloi qendrën Carter më 1982, për të ndjekur paqen, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të luftuar sëmundjet në mbarë botën.

Carter ishte aktiv edhe në organizatën bamirëse “Habitat for Humanity”, që ndihmon njerëzit e varfër t’i ndërtojnë shtëpitë.

Ai përhapte dashamirësi, shpesh me duart e veta.

Në vitin 2002, Carter u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, për punën e tij në diplomaci dhe promovimin e drejtësisë sociale.

“Ne mund të zgjedhim t’i zbusim vuajtjet. Ne mund të zgjedhim të punojmë së bashku për paqen. Ne mund t’i bëjmë këto ndryshime dhe duhet.” REL