Premtimi 20 milionësh për Drenasin

Nexhat Demaku premton 20 milionë euro investime në Komunën e Drenasit, në rast se rikonfirmohet Kryetar i saj. Iniciativën Qytetare nuk e sheh as si pjesë të konkurrencës. Thotë se PDK i bëri Krasniqin e Limajn dhe jo anasjelltas.

Lajme

29/09/2013 09:12

Nexhat Demaku nuk i frikësohet Iniciativës Qytetare për Drenasin, prapa të cilës qëndrojnë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që vjen nga kjo Komunë.

Ai, madje, thotë se kjo Iniciativë nuk nuk përbën as konkurrencë për PDK’në.

Iniciativës, sipas tij, nuk mund t’i ndihmojë as Ish Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së.

“Partia i ka bërë të mëdhenj njerëzit, e jo njerëzit partinë. Këtë duhet ta ketë parasysh kushdo që largohet nga partia. Nuk kanë qenë ata që e kanë bërë PDK’në forcën e parë politike”.

“Nëse ata kanë emra sot dhe janë personalitete, për çka i çmoj, ata janë bërë në saje të PDK’së dhe nuk do të jenë më të fortë se sa PDK’ja”.

Demaku, i cili ëshë Kryetar aktual i Drenasit dhe i cili po rikandidon edhe për një mandat të ri, është i bindur në fitoren e tij. Dhe këtë bindje ai e mbështet në punën e madhe, që sipas tij, ka bërë PDK në këtë komunë.

“Mendoj se kemi treguar që kemi kapacitete për të udhëhequr dhe për të bërë ndryshime. Jemi të gatshëm për të çuar proceset përpara. E njoh shumë mirë problemin, rrethanat, i njoh shumë mirë mundësitë që kemi dhe ne do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë”.

“Kemi bërë ndryshime sa i përket buxhetit pasi në vitin 2008 kemi pasur 600 mijë euro, ndërsa sot i kemi 4 milionë vetëm nga komuna dhe ne do të vazhdojmë. Ajo që është e rëndësishme ta them se në katër vitet e ardhshme, parashikojmë mbi 20 milionë euro të investojmë”.

(lajmi.net/Kosovapress)