Prej kohësh po ju flas për devijimet e skajshme në emër të fesë!
Profesori i teologjisë Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti, thotë se qëndrimet e tij të mëparshme lidhur me devijimin e skajshëm në emër të fesë që nga paslufta po ripërsëritën tani nga të tjerë.

Lajme
Sipas tij, kjo s’është gjë e keqe, mirëpo ai thotë se po të ekzistonte ndonjë ligj i cili sanksionon mos kopjimin e qëndrimeve të dikujt, do të bënte akuzë ndaj dikujt për plagjiaturë.
Profesor Hamiti, edhe pse i respektuar në opinionin kosovar, ka kaluar nëpër peripeci të ndryshme këto vjetët e pasluftës, në veçanti për shkak të qëndrimit të tij kundër devijimeve në emër të fesë dhe rritjes së ekstremizmit në Kosovë.
Madje vitin e kaluar ai u shkarkua edhe nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, që nuk lejonte thyerjen e “kushtetutës” së BIK-ut, që pas shkarkimit të tij u ndryshua për t’ia mundësuar myftiut Naim Tërnava, përzgjedhjen për të tretën herë radhazi në krye të Bashkësisë Islame.
Hamiti ishte deklaruar se është kandidat për këtë post, kundruall myftiut Naim Tërnava, të cilit, me Kushtetutën e BIK-ut, pa ndryshimet e propozuara, nuk i lejohej të zgjidhej përtej dy mandateve.
Teologu Hamiti me këtë status në profilin e tij, përveç disa imamëve, duhet t’ju ketë drejtuar edhe një pjesë të politikanëve, të cilët kanë heshtur përpara fenomeneve që tregonin qartë devijimet e skajshme n♪7 emër të fesë Islame dhe rritjen e ekstremizmit në Kosovë.
Lexoni reagimin e plotë të Hamitit që ka shkruar në profilin e tij në Facebook:
“Të gjithë ata që së fundi po solidarizohen me qëndrimet tona të mëhershme, duke thënë e duke e pranuar publikisht se ka devijime të skajshme në emër të fesë në mesin tonë, të cilat u mbollën dhe u kultivuan gjatë gjithë këtyre 15 viteve të pasluftës në vendin tonë; pastaj se lufta në Siri dhe në Irak nuk është luftë e jona e as luftë e shenjtë, por konflikt mes fraksioneve për pushtet dhe jo për shtet, ku në mënyrën më të egër të mundshme po përdhosen vlerat fetare, njerëzore dhe qytetare, vetëm sa po e përforcojnë atë që ne e kemi thënë që herët, atëherë kur të gjithë heshtnin, ndërsa disa nuk hezituan edhe të na quanin heretik!”.
“Me këtë nuk dua të them se këta nuk po bëjnë mirë që tani po deklarohen si edhe ne më herët, sepse më mirë vonë se kurrë, mirëpo po të ekzistonte ndonjë ligj i cili sanksionon mos kopjimin e qëndrimeve të dikujt, disa do t`i kishim akuzuar për plagjiaturë!!!”.