Prattipati i shkon në zyre Osmanit, respektimi i masave të Kushtetueses një nga temat e diskutimit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në rëndësinë e funksionimit të plotë të institucioneve të Kosovës dhe respektimin e masave…

Lajme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në rëndësinë e funksionimit të plotë të institucioneve të Kosovës dhe respektimin e masave të përkohshme të vendosura nga Gjykata Kushtetuese, transmeton lajmi.net.
Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i vendimeve gjyqësore është thelbësor për sundimin e ligjit dhe funksionimin demokratik të shtetit.
Me rastin e 24-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara.
“Kosova qëndron krah për krah me popullin amerikan, sot, nesër dhe gjithmonë, në mbrojtje të paqes dhe një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë,” u shpreh ajo.
Në prag të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidentja dhe Prattipati diskutuan edhe për aktivitetet dhe takimet që pritet të zhvillohen gjatë qëndrimit në Nju Jork, si dhe pritshmëritë për angazhimet ndërkombëtare të Kosovës në këtë forum./lajmi.net/