Pranon fajësinë e akuzuara për shkaktim të aksidentit ku ishte lënduar një grua

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e akuzuara T.Gj., pranoi fajësinë për akuzën se shkaktoi aksident trafiku ku u lëndua e dëmtuara V.H. E akuzuara po ashtu tha se shpreh keqardhje për rastin e ndodhur dhe se asgjë nuk ka qenë e qëllimshme, raporton “Betimi për Drejtësi”. Mbrojtësi i të akuzuarës…

Lajme

03/12/2025 11:53

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e akuzuara T.Gj., pranoi fajësinë për akuzën se shkaktoi aksident trafiku ku u lëndua e dëmtuara V.H.

E akuzuara po ashtu tha se shpreh keqardhje për rastin e ndodhur dhe se asgjë nuk ka qenë e qëllimshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarës T.Gj. avokati Liridon Kutllovci, tha se mbështet pranimin e fajësisë të së mbrojturës së tij dhe se i njëjti është në përputhje me dispozitat ligjore.

Po ashtu, edhe prokurorja e rastit, Arta Cukaj propozoi që të aprovohet pranimi i fajësisë pasi që është në parim me KPRK-në, dhe kërkoi që e akuzuara të shpallet fajtore dhe të gjykohet sipas ligjit.

Më pas, gjykatësi Driton Berisha aprovoi fajësinë nga e akuzuara T.Gj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, në rrugën “Bardhosh Gërvalla” në Prishtinë, e akuzuara T.Gj., nga pakujdesia derisa ishte duke drejtuar veturën, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor, ku derisa ishte duke drejtuar veturën në shirtin e djathtë, ka ndërmarrë veprimin e ndërrimit të shiritit pa u bindur se me këtë veprim rrezikon pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe aksidentohet me motoçikletën të cilën ishte duke e drejtuar V.H., e cila po lëvziste në drejtimin e njëjtë.

Aktakuza thotë se si pasojë e goditjes, e dëmtuara humb kontrollin duke u shkëputur nga motoçikleta, me ç’rast është përplasur në shtyllë kurse motoçikleta kalon në shiritat për lëvzije të kundërt. Si pasojë e aksidentit, e dëmtuara ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, T.Gj., po akuzohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par. 8 lidhur me par.6 e lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.