Pranimi i provave të MUP-it serb nga DHSP, Haxhiu: E gabuar dhe e papranueshme, ngriten dyshime mbi paanshmërinë e gjyqtarëve të rastit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar prova materiale nga MUP-i serb dhe institucionet serbe. Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është thellësisht e papranueshme, dhe se institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike,…

Lajme
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar prova materiale nga MUP-i serb dhe institucionet serbe.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është thellësisht e papranueshme, dhe se institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës.
Haxhiu ka shkruar se pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri.
“Tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre.” (par. 17), përveç tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë. Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë. Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo gjithashtu ka thënë se përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm.
“Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin. Slobodan Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme”, ka shtuar Haxhiu në Facebook. /Lajmi.net/
Postimi i saj i plotë në Facebook: