Pozita dhe Opozita fajësojnë njëra-tjetrën

Ramë Vataj thotë se Ministri duhet ta autorizojë Senatin që ta zgjedhë UD. të Rektorit. Ismet Beqiri konsideron se mungon vullneti i pozitës për rekomandimet. Ardian Gjini pohon se Qeveria po provon të bllokojë sistematikisht Kuvendin.

Lajme

11/02/2014 12:43

Pas votimit të rekomandimeve për UP’në në Kuvendin e Kosovës, të cilat nuk dihet ende se a kaluan a jo,  pozita dhe opozita ia lënë fajin njëra-tjetrës për mos harmonizim të qëndrimeve.

Deputeti i  PDK’së, Ramë Vataj, ka thënë se nuk janë pajtuar vetëm me pikën e parë dhe sipas tij grupet tjera parlamentare janë të interesuara ta mbajnë këtë çështje të bllokuar.

“Grupet tjera si duket janë të interesuara ta mbajnë këtë bllokadë. Universiteti i Prishtinës është në kolaps, ndërsa rekomandimet e dhëna, përveç të parës, të gjitha janë në harmoni me tonat. Kemi kërkuar që në vend të pikës së parë të jetë në suaza të ligjit, që Ministri me udhëzim administrativ ta autorizojë Senatin që ta zgjedhë kryesuesin ose ushtruesin e detyrës së Rektorit deri në zgjedhje të reja”.

“Ne duhet t`i japim përgjegjësi Ministrit, sepse ligji nuk ia mundëson ndryshe. Këta nuk janë duke e kuptuar situatën a po i bëjnë me qëllim apo nuk po duan ta bëjnë, sepse senatin nuk mund ta thërrasë askush përderisa nuk ka Rektor. Ne jemi për ta debllokuar situatën”.

Ramë Vataj, foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

Shefi i GP të LDK’së, Ismet Beqiri, e ka demantuar Vatajn, duke thënë se pikërisht koalicioni qeverisës nuk po ka vullnet që të miratohen këto rekomandime.

“Dorën në zemër, çka thotë PDK s’po i beson askush. Sepse jeni dëshmitarë që në seancën e kaluar ne kemi dalë jashtë në një pauzë dhe Vataj e Bajrami kanë qenë kur jemi pajtuar për të gjitha, përpos rekomandimit të parë”.

“Po ashtu ka qenë rekomandimet e tyre që janë futur në tekst dhe më nuk ka pasur çka të rekomandohet dhe meqenëse ndodhen zhvillime dhe u dhanë dorëheqje, ne kemi riformuluar pikën e parë, e cila vetëm është plotësuar që të vlerësohet përgjegjësia e Ministrit dhe është futur  përgjegjësia e KD’së për këto zhvillime në UP”.

“Ne nuk jemi ata që Ministrit me i dhënë me shumë kompetenca se sa i lejon ligji. Ministri i ka kompetencat e përcaktuara e ligj dhe ai mund të veprojë.  Kuvendi për ta shikuar përgjegjësinë qoftë të Ministrit, qoftë KD’së, qoftë përgjegjësitë tjera të komisionit që i ka emëruar Senati, kjo të konstatohet se është tendencë për të bllokuar nga opozita, është e papranueshme dhe nuk është e vërtetë.”

Ismet Beqiri, LDK, foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

Shefi tjetër i GP të AAK’së, Ardian Gjini, ka thënë se dorëheqja e Rektorit Gashi pas skandaleve nuk po i vjen mirë Qeverisë dhe se po provojnë ta bllokojnë sistematikisht Kuvendin. Thotë se kjo bllokadë po i konvenon Qeverisë.

“Në këto rrethana kemi bllokadë në Kuvend dhe vetëm ligjet të cilat nuk kanë kurrfarë elementesh kontraverse po kalojnë çfarëdo materie tjetër e cila mund të jetë që shkakton ndasi nuk po mund të kalojë për shkak se koalicioni qeverisës nuk i ka 61 vota dhe as opozita nuk po mund t`i bëjë”.

“Ne duhet të bisedojmë edhe me deputetët e pavarur se si do të vazhdojmë më tutje në Kuvend. Qeveria dhe koalicioni qeverisës tanimë janë duke refuzuar që të bëjnë çfarëdo veprimi edhe sa i përket Universitetit të Prishtinës”.

“Partia më me madhe në pushtet që prej vitit 1999 i ka duart në Universitet dhe s’është larguar kurrë prej aty. Tash ka ardhur koha që Universiteti të largohet prej duarve të Partisë Demokratike të Kosovës”.

Ardian Gjini, AAK, foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net