Të Infektuar: 224

Të Shëruar: 37

Të Vdekur: 6

Posta e Kosovës është ndërmarrje publike e diskriminuar

21:39 | 23 Shkurt 2020

Pavarësisht sfidave me të cilat përballet, për shkak se institucionet dhe kompani të ndryshme nuk ia paguajnë borxhin prej miliona euro, Posta e Kosovës ka arritur të tejkaloi planifikimin për 4 për qind për vitin 2019.

Sipas dokumenteve të deponuara në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), siç janë raporti vjetor, pasqyrat financiare, etj, në vitin që lamë pas, Posta është ndër ndërmarrjet me performancën më të lartë.

Kjo ndërmarrje publike që është ndarë nga Vala (Telekomi i Kosovës) në vitin 2012 dallohet nga ndërmarrje tjera si dhe institucione dhe agjenci shtetërore edhe për faktin se Bordi i Drejtoreve, i zgjedhur para rreth 7 muajsh, dhe menaxhmenti i saj, nuk kanë shpenzuar asnjë centë për udhëtime zyrtare, mëditje apo reprezentacion.

Po ashtu, Posta e Kosovës nuk ka shpenzuar asnjë centë për sponsorizime apo marketing në media siç është praktikë e shumë ndërmarrjeve tjera publike dhe institucione shtetërorë, shkruan Gazeta Epoka e Re.

Përveç kësaj, Posta e Kosovës është e vetmja ndërmarrje në Kosovës që ka ulur pagat e punëtorëve dhe ka ulur të gjitha shpenzimet deri në kufi të operimit normal por sakrifica e punëtorëve të Postës nuk është trajtuar seriozisht nga institucionet përkatëse. Një tjetër sfidë për këtë operator postar është se mediat si dhe qeveritarët edhe pas tetë viteve nuk dinë ta bëjnë dallimin mes Postës së Kosovës dhe Telekomit të Kosovës duke ju referuar të dyjave si PTK ose Vala. Si pasojë e kësaj, kjo gjë vazhdon të shkaktoj konfuzion në mesin e shumicë së qytetarëve të Kosovës.

Posta është ndër ndërmarrjet e vetme publike që të hyrat i siguron në një treg shumë të vështirë ku përballet me një konkurrencë jashtëzakonisht të madhe të kompanive private postare dhe të kompanive private që merren me pagesa të shërbimeve të ndryshme. Konkurrenca ndaj Postes është tejet agresive dhe në shumë raste e pandershme dhe e paligjshme nga operatorët privatë, raportojnë mediet.

Në dokumentacionin që është edhe publik, shihet se Qeveria e Kosovës nuk ka shlyer borxhin prej mbi 5 milionë euro megjithëse ky është obligim ligjor i ekzekutivit të vendit që është aksionari i vetëm i Postës.

Posta është ndërmarrja e vetme publike që detyrohet me ligj të kryej shërbime me humbje siç është rasti me shërbimin universal postar. Por kjo humbje nuk është kompensuar nga aksionari në shumën prej mbi 5 milionë euro. Ky borxh dhe borxhi tjetër i Valës (Telekomit të Kosovës) ndaj Postës, mbi 1.2 milionë euro, janë arsyeja që ky operator postar del padrejtësisht me bilanc negativ që nuk pasqyron gjendjen e saj reale.

Me dhjetëra herë Posta e Kosovës ka kërkuar nga institucionet qeveritare që t’i mundësojnë kësaj ndërmarrje me rreth një mijë punëtorë të bëhet ‘postë normale”, së paku sikur postat publike në shtetet fqinje të Kosovës. Kjo mund të arrihet shumë lehtë po të ketë vullnet në Qeveri sepse Posta e ka hollësisht të hartuar strategjinë për zhvillim afatgjatë dhe për t’u bërë jo vetëm stabile në aspektin financiar por të gjenerojë edhe vende të reja pune dhe madje t’i jap edhe dividendë shtetit të Kosovës.

Të gjitha postat në rajon shpërndajnë të zarfuara faturat e energjisë elektrike, kompanive të mbeturinave, ujësjellësve, trustit pensional, etj, por kjo nuk i është mundësuar Postës së Kosovës megjithëse një gjë e tillë është e paraparë edhe me ligje. Postës së Kosovës nuk i është mundësuar as shpërndarje e dhjetëra pensioneve të ndryshme shërbime që i kryejnë të gjitha postat në rajon. Punëtoret e Postes janë te revoltuar nga ky diskriminim.

Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti janë të gatshëm të arrijnë këto objektiva dhe e kanë vizionin e qartë për këtë, kurdo që Qeveria e merr seriozisht parasysh strategjinë e kësaj ndërmarrje publike.

Punëtorët e Postës dhe sindikata e tyre janë detyruar disa herë të protestojnë dhe të hyjnë edhe në grevë në mbrojtje dhe në kërkim të të drejtave të tyre legjitime.