Porthault tregon fillimet e Kantes: Mendonim se ishte i shurdhër, nuk fliste kurrë

Presidenti i skuadrës franceze, JS Suresnes, Sylvain Porthault, ka folur për N'Golo Kanten.

Sport

29/05/2021 11:22

Sylvain Porthault njëherësh president i skuadrës JS Suresnes, ku N’Golo Kante kishte filluar karrierën e tij si futbollist në moshën nëntë vjeçare, ka folur në një intervistë ekskluzive për “Gianlucadimarzio.com”, transmeton lajmi.net.

Porthault deklaroi se Kante ishte një fëmijë i heshtur dhe i ndrojtur por me një natyrë të veçantë dhe të thjeshtë.

Kante njihet për karakterin e tij punëtor dhe pozitiv, ai në paraqitjet e tij nëpër intervista ende është i ndrojtur, por i qeshur dhe pozitiv e fjalëpak.

“Ishte me ne që nga mosha nëntë vjeçare deri në 18. E kemi parë të rritet, por karakteri i ka mbetur i njëjti”, tha ai.

“Gjithmonë ka qenë i vogël dhe në klub nganjëherë e ngacmonin, e dini, të rinjtë premtues ishin nëpër Kombëtare dhe ai mbeti me ne deri kur mbushi 18 vite. Do të kishte mundur të ndalej së besuari”, shtoi ai.

“Kante ishte gjithmonë më i vogli në mesin e grupmoshave të tij, ndërsa ne e dërgonim të luante me më të mëdhenjtë”, tha presidenti.

“Ne jemi krenarë që ai është lojtari që është sot, ai ishte gjithmonë i dashur dhe nuk i ndali studimet. U diplomua në Kontabilitet”, tha Porthault.

“Në fillim mendonim që ishte i shurdhër, nuk përgjigjej kurrë kur i flisnim, të shikonte me ata sy të vegjël dhe nuk thoshte asgjë. Ai kishte filluar të merrte rrogë të madhe kur ishte në Universitet dhe nuk kishte një makinë, ndërkohë e bleu një të vjetër dhe nuk e ndërroi. Ky është N’Golo Kante’, përfundoi Sylvain Porthault./Lajmi.net/