Popullizmi kosovar

Popullizmi na ka goditur në Kosovë, viteve të fundit, në format e ndryshme, duke ndikuar në një tjetër degradim të politikës kosovare.

Opinion

01/08/2019 10:10

Blerim Shala

 

Politikanët në demokracitë parlamentare, kudo në Botë, mendojnë, punojnë dhe veprojnë duke dyzuar të njohurat politike, ekonomike dhe sociale, apo, vlerat e matshme dhe të qarta për të gjithë qytetarët e një shteti, me projektet politike, të cilat synojnë arritjen e një gjendje të re, në të ardhmen e afërt, me vlerat të cilat kanë formën e premtimeve, që do të mund të maten vetëm kur ato njëmendësohen.

Një realitet aktual bashkohet pra me një realitet të projektuar, me një vizion politik, ashtuqë të krijohet besimi elementar i qytetarëve të një vendi në një lider, në një parti, në një ofertë politike.

Në këtë kontekst natyrisht, politikanët e matur, racional, pragmatik, synojnë të jenë të besueshëm tek qytetarët/ votuesit, duke qenë sa më afër realitetit të tanishëm, dhe sa më të bindshëm që e dijnë çka duan, çka po premtojnë dhe çka do të bëjnë, nëse ata marrin përkrahjen e duhur prej shumicës së qytetarëve apo të elektoratit në një demokraci.

Megjithatë, të gjithë ne e dimë që edhe në shtetet me një demokraci të krijuar qyshmoti, në Perëndimin evropian dhe amerikan, viteve të fundit, nën mësymjen e Popullizmit, gjërat kanë ndryshuar shumë, për të keq.

Popullizmi i të gjitha ngjyrave, së pari, nuk ka kyçje në realitetin e mirëfilltë, apo ai, në statusin e vet opozitar, e përshkruan njëmendësinë shumë më keq se sa që është, krijon skemën e të huajve/ armiqëve që janë përgjegjës për humbjen e vlerave tradicionale të një shoqërie dhe të një vendi, dhe pastaj, pas nxirrjes së madhe, artificiale, të gjendjes aktuale, ofron një bardhësi/ pastërti të paparë politike me një kërcim të vetëm të madh që mund të ndodhë në ditën e votimit.

Marshi i Popullizmit (siç u kualifikua nga njohësit e zhvillimeve në demokracitë perëndimore), është në ngadalësim e sipër, siç u vërejt edhe nga rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në muajin maj të këtij viti. Por nuk është rendi i dorëzimit të tij, apo, edhe të tejkalimit të tij. Për shembull, droja nga ai, nga Popullizmi pra, në disa nga shtetet kryesore të BE-së, është shkaku kryesor pse në Bashkimin Evropian ende hezitohet t’i ofrohet qytetarëve të Kosovës e drejta që pa viza të udhëtojnë lirshëm në Zonën e Schengenit. Në të vërtetë, nuk ka asnjë arsye tjetër pse kosovarët vazhdojnë të mbeten të izoluarit e fundit të kësaj Evrope.

Popullizmi na ka goditur edhe neve në Kosovë, viteve të fundit, në format e ndryshme, duke ndikuar në një tjetër degradim të politikës kosovare, e cila edhe ashtu ka kohë që njeh një tatëpjetë të vazhdueshme kur bëhet fjalë për cilësinë e saj.

Poqëse skena politike vendore do të detyrohet të gjejë zgjidhje për situatën e tanishme, gjithsesi paralizuese, në (mos)funksionimin e saj, përmes organizimit të zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, duket që si asnjëherë më parë, që prej se tek ne mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike, do të jemi dëshmitarë të një fushate parazgjedhore me ngjyrime të theksuara populliste.

Pika më e lartë, për të mirë, e një fushate për zgjedhjen e pushtetit qendror, gjithsesi është ajo që u shënua në pranverën e vitit 2014-të, në zgjedhjet e qershorit. U bënë, asokohe, përpjekjet më serioze për profilizimin e subjekteve tona, kah qendra e djathtë dhe qendra e majtë, thuaja i gjithë debati mediatik u përqëndrua në temat ekonomike dhe sociale, rritja e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit ishte kryeçështja e fushatës parazgjedhore, së bashku me perspektivën evropiane për gjithë vendin.

Pas këtyre zgjedhjeve, na kujtohet të gjithëve, ju përballëm me një krizë gati gjashtëmujore në ndërmarrjen e krijimit të institucioneve qendrore, ndërsa pak pasiqë u bënë ato, ndodhi vala e madhe e largimit ilegal të kosovarëve prej shtetit të tyre.

Prej atëherë e këndej, nuk arritëm asnjëherë të këndellemi, ndërsa rënia e vazhdueshme e besimit të qytetarëve të Kosovës në politikën e vendit, që gjithnjë e më shumë nisi të veshet me rroba populliste, po na shfaqet me një tendencë të re të largimit nga Kosova, kësaj here në mënyrë të ligjshme, duke siguruar gjithë dokumentacionin e duhur.

Për më shumë, këta qytetarë po ia mësynë Perëndimin me dëshirën e tyre që atje të jetojnë tash e tutje.

Ky me siguri është lajmi më i keq i mundshëm për të gjithë ne në Kosovë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)