Pompeo: SHBA do të vazhdojë luftën kundër Shtetit Islamik

22:31 | 14 Nentor 2019

Sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo tha në Uashington sot se SHBA do të vazhdojë luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Ai në një takim me përfaqësuesit e vendeve në koalicionin ndërkombëtar kundër xhihadistëve, përsëriti që vendet e atij koalicioni, të cilët kanë shtetasit e tyre në Shtetin Islamik, duhet t’i kthejnë ata dhe të dalin para gjyqit për krimet e kryera.

“Ju të gjithë e dini se ne duhet të vazhdojmë luftën kundër Shtetit Islamik. SHBA do të vazhdojë të udhëheqë koalicionin. Ne kemi vendosur trupat tona në të gjithë verilindjen e Sirisë dhe më gjerë në mënyrë që Shteti Islamik të mos ringrihet dhe të marrë përsipër fushat e naftës,” tha Pompeo.

Sekretari i Shtetit amerikan shtoi se nuk duhet të “ndalen tani, por të veprojnë në mënyrë që Shteti Islamik të mos kthehet kurrë”, transmeton KosovaPress.