Politikanët duhet t’i pranojnë kritikat (video)
Në një konferencë të OSBE-së, u trajtuan format e gjuhës së urrejtjes. U vlerësua se krimi i urrejtjes nuk ndalet vetëm në aspektet ndëretnike por edhe tek orientimi seksual, gjinia etj.
Lajme
Krimi i urrejtjes nuk ndalet vetëm në aspektet ndëretnike, por ka edhe tek orientimi seksual, gjinia dhe aftësia fizike e mendore. Politikanët duhet t’i pranojnë kritikat, ato s’janë gjuhë e urrejtjes.
Këto ishin disa nga tezat të cilat u diskutuan të premten midis shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorit Jean Claude Schlumberger dhe ekspertëve të ndryshëm ligjorë nga Ballkani perëndimor.
Sipas ambasadorit Schlumberger, OSBE, institucionet e vendit dhe mediat kanë një përgjegjësi shumë të rëndësishme për t’u siguruar që të mos lihet hapësirë e urrejtjes etnike e mostolerancës në vend.
“Adresimi i gjuhës së urrejtjes është një element shumë i rëndësishëm në ushqimin e pajtimit pas konfliktit dhe në ndërtimin e besimit përmes komuniteteve”.
“Krimi i urrejtjes nuk ndalet vetëm në aspektet ndëretnike, shohim edhe tek orientimi seksual, gjinia dhe aftësia fizike dhe mendore”.
“OSCE ka implementuar disa aktivitete për t’iu ndihmuar të gjithë akterëve për ta adresuar gjuhën e urrejtjes. Ne punojmë me gazetarët, me mediat dhe me institucionet e nivelit qendror e lokal, si dhe me anëtarët e shoqërisë civile”.
“Në veçanti kemi mbështetur ligjvënësit dhe agjencitë e sundimit të ligjit për të balancuar me kujdes të drejtën e lirisë së shprehjes ndaj përgjegjësisë së tyre për të mbrojtur personat ndaj fjalimeve urryese”, tha Schlumberger.
Ndërkaq, përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatovic, tha se gjatë punës së saj në këtë lëmi, ende s’ka ardhur në zgjidhje të problemit, pavarësisht rrugëtimit të saj të gjatë.
“Mendoj që kemi bërë një rrugëtim të gjatë, por a e kemi zgjedhur problemin – mendoj se jo. Ajo çfarë desha të them është se në këtë pjesë të botës, pra Ballkani Perëndimor, mendoj se jemi shumë të ndjeshëm për shumë çështje që kanë të bëjnë me gjuhën dhe fjalimet në përgjithësi”.
“Një gjë është e qartë, gjuha e urrejtjes është një gjë që unë personalisht mendoj që është sikur një gjë që e ndjen fizikisht, që preket, sepse të prek menjëherë”.
Sipas Mijatovic, gjuha e urrejtes nuk është kur dikush thërret me emra ose thotë gjëra vulgare e provokative, ndërsa tërheq vëmendjen se politikanët duhet t’i pranojnë kritikat, ngase, siç thotë, ato nuk janë gjuhë e urrejtjes.
“Jam lodhur me politikanët që mendojnë se kanë problem me gjuhën e urrejtjes kundër tyre dhe kjo duhet të ndalohet. Kjo është kritikë, ata duhet ta pranojnë kritikën, kjo nuk është gjuhë e urrejtjes”.
“Vetëm shprehjet që nxisin dhunë ndaj të tjerëve, duhet të ndalohen. Të gjitha fjalimet tjera pavarësisht se për çfarë problematike bëhet fjalë nuk duhet të ndiqen penalisht”, tha Mijatovic.