Policia sulmohet nga hajdutët në Istog
Policia e Kosovës ishte vënë në ndjekje të një traktori të vjedhur kur është sulmuar me armë nga ngasësi i tij. Policia i është kundër-përgjigjur duke shtënë në drejtim të tij. Njoftohet se nga ky shkëmbim armësh nuk ka të lënduar, por as të arrestuar.
Lajme
Policia e Kosovës është sulmuar me armë nga hajdutët në një fshat të Istogut. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kosh të Istogut, rreth orës 00:05 të mesnatës. Derisa policia ishte vënë në ndjekje të një traktori të vjedhur, ata janë sulmuar nga hajdutët, të cilëve i janë përgjigjur me armë.
Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Pejës, Teki Sylaj, nga ky shkëmbin zjarri nuk ka pasur të lënduar, por as të arrestuar.
“Policia e Kosovës, përkatësishtë njesitet policore të stacionit policor në Klinë janë njoftuar me datë 16.09.2013, rreth orës 00:05 minuta, se ne fshatin Berkovë të komunës së Klinës, qytetarit R. J. (1956 – serb/kosovar), i ishte vjedhur një makinë bujqësore (traktor) nga oborri i tij”.
“Pas këtij njoftimi Policia menjëherë ka arritur ne vendin e ngjarjes duke filluar hetimet konform ligjit dhe udhëzimeve ne fuqi, por gjithsesi duke filluar edhe punën kërkimore përmes aktiviteteve të saj në teren”.
“Gjatë patrullimeve dhe punëve kërkimore njësitet policore të stacionit Policor të Klinës rreth orës 02:00 identifikojnë një makinë bujqësore në lëvizje në fshatin Kosh/Istog, ku menjëherë tentojnë të ndalojnë. Mirëpo pas lajmërimit/thirrjes nga ana e policisë që vozitësi të ndalet, ai ju kundërvihet patrullës policore me armë zjarri”.
“Duke parë se situata është në rrezik për jetën e zyrtarëve policor edhe policët i kundërpërgjigjen dhe për këtë menjëherë në ndihmë i shkojnë edhe njësitet patrulluese të Stacionit të policor të Istogut. Por, nga ky shkëmbim zjarri që ishte i shkurtër nuk kishte të lënduar nga asnjëra palë, ndërsa të dyshimtit duke shfrytëzuar terrenin malor dhe errësirën kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes këmbë. Makina bujqësore ka rezultuar të jetë ajo e vjedhur orë më parë në fshatin Brekovë të Klinës”.
“Ky rast është nën hetim të njësisë së krimeve serioze në kuadër të Drejtorisë regjionale Pejë dhe gjithnjë në koordinim me prokurorin e shtetit është marr dhe vazhdon të merret çdo veprim”.