Policia shton masat e sigurisë në Mitrovicë, pas gjykimit të Ivanoviqit

13:59 | 21 Janar 2016

Policia në veri, Arkiv

Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë në Mitrovicë, pas procesit gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve, ndërsa gjendja është e qetë dhe stabile.

Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Besim Hoti, në një prononcim për Telegrafin tha se masat e policisë janë shtuar për shkak të gjendjes së sigurisë në Gjykatën Themelore.

Sipas tij, gjendja në veri të Mitrovicës është e qetë dhe nuk ka arsye për shqetësim.

“Është shumë normale të shtohen masat e sigurisë nga ana e policisë së Kosovës, kjo për gjendje sigurie… Gjendja në veriun e Mitrovicës është e qetë dhe normale”, ka thënë Hoti për Telegrafin.

Ndryshe, sot është mbajtur gjykimi naj Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve të tjerë, të cilët akuzohen për krime të rënda të kryera në Mitrovicë në vitet 1999 dhe 2000.

Ish-lideri i Iniciativës serbe SDP Oliver Ivanoviq, në gjykimin e sotëm është dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ndërsa katër të tjerët janë liruar.