Policia sekuestron armë dhe arreston disa të dyshuar në Prizren, Gjakovë e Skenderaj

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve, pas disa operacioneve në qytete të ndryshme të vendit. Në Prizren, dy persona u arrestuan pas një bastisjeje të kryer nga njësia policore. “Gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me karikator…

Lajme

15/09/2024 08:52

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve, pas disa operacioneve në qytete të ndryshme të vendit.

Në Prizren, dy persona u arrestuan pas një bastisjeje të kryer nga njësia policore. “Gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me karikator dhe dy fishekë,” thuhet në raportin e policisë. Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në një rast tjetër në Krushë të Vogël, një burrë u arrestua pasi kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Policia konfirmoi se “nga i dyshuari është konfiskuar arma e zjarrit Zoraki me një karikator dhe pesë gëzhoja.”

Në Gjakovë, dy të dyshuar sulmuan fizikisht dy persona dhe njëri prej tyre shtiu me armë në ajër. “Gjatë bastisjes, u sekuestruan tri pistoleta, shtatë fishekë, një pushkë ajrore dhe një gëzhojë,” theksoi policia, duke shtuar se të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Skenderaj, policia arrestoi katër persona në dy raste të ndara.

Në rastin e parë, dy të dyshuar plagosën qenin e ankuesit me armë zjarri. “Nga të dyshuarit janë konfiskuar dy pushkë gjuetie,” konfirmoi policia.

Në rastin e dytë, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, u gjetën dhe sekuestruan dy revole dhe dy pushkë gjuetie.

Të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.