Policia nis zbatimin e urdhrit operativ “Siguria në shkolla e stop drogave në shkolla”
Në kuadër të zbatimit të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025 dhe Strategjia e Integruar e Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi 2021-2025, Policia e Kosovës ka filluar zbatimin e urdhrit operativ “Siguria në shkolla e stop drogave në shkolla” në të cilin parashihen detyra e aktivitete konkrete për zyrtarët policorë të përfshirë në zbatim të këtij urdhri.

Lajme
Qëllimet kryesore që policia synon t’i arrijë me zbatimin e këtij urdhri, ndër të tjera janë krijimi i një klime më të sigurt për nxënësit, personelin arsimor në të gjitha nivelet arsimore.
Me këtë urdhër koordinohen aktivitet mes njësiteve policore të stacioneve policore, hetuesve policorë dhe zyrtarëve që merren me hetimin e trafikimit me narkotik e zyrtarëve policorë në rroba civile.
Brenda periudhës 7 mars – 3 prill 2022, në zbatim të këtij urdhri, janë evidentuar 53 incidente në hapësirat e shkollave dhe afër tyre, 79 intervenime policore, 20 persona të lënduar, 69 të dyshuar të arrestuar, 32 armë (armë të ftohta dhe mjete tjerë të ndaluara) të konfiskuara dhe 1860 takime të realizuara me përfaqësues të shkollave.
Policia njofton se do të vazhdojë aktivitetet në zbatim të këtij urdhri, me këtë rast kërkohet bashkëpunim me të gjithë në parandalimin dhe arrestimin e të gjitha atyre që përfshihen në veprimtari penale dhe në incidente tjera.