Policia në aksion për veturat e padoganuara, 21 janë konfiskuar në Prishtinë

Policia e Kosovës, konkretisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor, ka hartuar planin operativ "Veturat e padoganuara". Plani ka filluar të zbatohet më 21 maj 2017 nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës. Realizimi i planit është duke vazhduar.

Lajme

25/05/2017 11:12

Sipas njoftimit të Policisë, Plani ka qëllim identifikimin, ndalimin dhe largimin nga komunikacioni të veturave të cilat qarkullojnë të padoganuara. “Mjetet në fjalë nuk u nënshtrohen rregullave teknike dhe atyre procedurale, janë të pasiguruara dhe u shmangen të gjitha taksave të parapara ligjore. Gjithashtu, këto mjete jo rrallë herë janë pjesëmarrëse në aksidente të trafikut rrugor me çka rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në trafik”, ka njoftuar Policia.

Me datën 21.05.2017 në rajonin e Prishtinës, janë identifikuar dhe konfiskuar gjithsej 21 vetura të padoganuara të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugor.

Policia e Kosovës kërkon nga ngasësit e veturave të padoganuara që të mos dalin me vetura të tilla në trafik, pasi veturat e tilla do të ndalohen dhe sekuestrohen. /Lajmi.net/