Policia me aksion kundër narkotikëve dhe krimeve kibernetike në tri rajone të Kosovës

Një aksion i gjerë policor është duke u zhvilluar sot në tri rajone të vendit. Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës, ku ndër të tjerash u theksua se operacioni policor lidhet me trafikimin e substancave narkotike dhe krimeve kibernetike në vendin tonë. Lajmin e konfirmoi për lajmi.net edhe zëdhënësi i Policisë së…

Lajme

03/06/2025 09:17

Një aksion i gjerë policor është duke u zhvilluar sot në tri rajone të vendit.

Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës, ku ndër të tjerash u theksua se operacioni policor lidhet me trafikimin e substancave narkotike dhe krimeve kibernetike në vendin tonë.

Lajmin e konfirmoi për lajmi.net edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Pas një pune operative dhe hetimore, nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës (PK), nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor”,ka pohuar ai.

I njëjti nuk ka dhënë detaje shtesë në lidhje me konfiskimet apo të arrestuarit në këto raste.

Kelani tha se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe se detajet shtesë do të bëhen të ditura pas përfundimit dhe kompletimit të aksionit.

“Gjatë këtij operacioni policor janë kryer kontrolle në tri rajone të Kosovës që përfshijnë një numër të konsiderueshëm të lokacioneve të ndryshme, kundër trafikimit me narkotik dhe krimeve kibernetike.Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë mund të informoheni pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit”./Lajmi.net/