Policia konfirmon arrestimin e imamit, u gjet i fshehur në malin afër shtëpisë së tij

E plotësuar: Policia e Kosovës ka arrestuar imamin e xhaminë El-Kuddus në Gjilan, Zekrjja Qazimi, i cili dyshohet se është një ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit, si dhe një të dyshuar tjetër L. K, nga fshati Polac i Skenderaj, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryet veprën penale, kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovës.

Lajme

14/08/2014 10:26

Sipas Policisë, si rezultat i hetimeve disamujore, në ndërlidhje me rastin e arrestimit të katër (4) personave gjatë muajit qershor 2014 në Kaçanik për veprat e njëjta penale, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës, sipas urdhrit nga gjyqtari i procedurës paraprake të EULEX-it, ka ndërmarrë një operacion për zbatimin e urdhër kontrollit në dy lokalitete në Gjilan dhe Skenderaj.

“Ky operacion policor ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar Z. Q, viti i lindjes 1980, imam në xhaminë El-Kuddus në Gjilan, që dyshohet të jetë një ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit”, thuhet në një komunikatë të Policisë.

“I dyshuari tjetër i arrestuar është L. K, viti i lindjes 1987, nga fshati Polac, Skenderaj, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale nga kapitulli ‘Veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’ -rekrutim për terrorizëm, sipas nenit 139 të KPK-së, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, sipas nenit 143 të KPK-së, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, sipas nenit 147 të KPK-së”, thuhet në një komunikatë.

Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, personi i dyshuar Z.Q. nuk ka qenë në shtëpinë e tij, por i njëjti është gjetur nga Policia e Kosovës i fshehur në veturën e tij në një terren malor në afërsi të shtëpisë së tij ndërsa i dyshuari i dytë është gjetur në vendbanimin e tij.

Po ashtu, gjatë zbatimit të urdhër-kontrolleve, janë sekuestruar edhe dëshmi materiale që ndërlidhen me veprat e lartcekura penale.

Personave të arrestuar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale iu është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim e sipër.

————————————-

Arrestohet imami Zekerija Qazimi

Si rezultat i një aksioni të Policisë së Kosovës i nisur në orët e hershme të ditës së sotme, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për terrorizëm.

Siç mëson gazeta “Zëri” nga burime brenda BIK-ut, i arrestuari është Zekerija Qazimi, imam në Gjilan.

Po i njëjti burim tregon se arrestime mund të ketë pasur edhe në regjionin e Mitrovicës. 

Policia e Kosovës në një aksion të kryer në fillim të kësaj jave, të hënën në mëngjes, në tërë Kosovën, ka arrestuar dyzet (40) persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra.  

Arrestimi i tyre nga Policia e Kosovës është bërë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale nga kapitulli “Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës Së Kosovës” i Kodit Penal të Kosovës.

Ky operacion, sipas Policisë, është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

Për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, si dhe nxitje të shkuarjes për të luftuar në luftrat në Siri dhe Irak, ishte paralajmëruar se nën hetime janë edhe disa imamë.