Policia jep detaje për incidentin me tre arinj në Bllacë

Policia e Kosovës ka konfirmuar incidentin në fshatin Bllacë të Suharekës ku disa arinj janë futur në pronën e një banori dhe në varreza. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, për lajmi.net, ka konfirmuar se kanë ftuar banorin pas pranimit të informacionit se rasti ka ndodhur më 4 tetor, ku…

Lajme

08/10/2025 15:23

Policia e Kosovës ka konfirmuar incidentin në fshatin Bllacë të Suharekës ku disa arinj janë futur në pronën e një banori dhe në varreza.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, për lajmi.net, ka konfirmuar se kanë ftuar banorin pas pranimit të informacionit se rasti ka ndodhur më 4 tetor, ku dyshohet se tre arinj kanë hyrë në pronën e tij dhe i kanë dëmtuar rreth 35 kosherë bletësh.

Ai shton se sipas deklaratës së qytetarit, para disa ditësh arinjtë kanë dëmtuar edhe një varrezë në të njëjtin fshat.

“I njëjti ka shprehur shqetësimin e tij se prania e arinjve mund të paraqesë rrezik edhe për bagëtitë dhe për njerëzit,” ka thënë Bytyqi.

Bytyqi po ashtu ka thënë se pas konsultimit me prokurorin kompetent, është vlerësuar që policia të mbajë shënim për rastin dhe të ftojë qytetarët të kenë kujdes, sidomos gjatë lëvizjes në zonat pyjore apo afër vendbanimeve ku mund të paraqiten kafshë të egra.

“Sot, më datë 08.10.2025, pas pranimit të një informacioni, Policia ka ftuar një banor të fshatit Bllacë të Suharekës, i cili ka raportuar se më datë 04.10.2025, dyshohet që tre arinj kanë hyrë në pronën e tij dhe i kanë dëmtuar rreth 35 kosherë bletësh. Sipas deklaratës së qytetarit, para disa ditësh, arinjtë kanë dëmtuar edhe një varrezë në të njëjtin fshat. I njëjti ka shprehur shqetësimin e tij se prania e arinjve mund të paraqesë rrezik edhe për bagëtitë dhe për njerëzit. Pas konsultimit me prokurorin kompetent, është vlerësuar që policia të mbajë shënim për rastin dhe të ftojë qytetarët të kenë kujdes, sidomos gjatë lëvizjes në zonat e pyllëzuara apo afër vendbanimeve ku mund të paraqiten kafshë të egra. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të monitorojë situatën dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Bytyqi. /Lajmi.net/