Policia e Kosovës modernizon raportimin e rasteve përmes aplikacionit mobil

Policia e Republikës së Kosovës ka lansuar zyrtarisht versionin e ri dhe të ridizajnuar të aplikacionit mobil “Lajmëro Policinë”, i cili vjen me funksionalitete të avancuara dhe një dizajn më modern, duke e bërë raportimin e rasteve më të lehtë dhe më efikas për qytetarët. Versioni i ri i aplikacionit u mundëson qytetarëve: raportimin e…

Lajme

31/12/2025 16:14

Policia e Republikës së Kosovës ka lansuar zyrtarisht versionin e ri dhe të ridizajnuar të aplikacionit mobil Lajmëro Policinë”, i cili vjen me funksionalitete të avancuara dhe një dizajn më modern, duke e bërë raportimin e rasteve më të lehtë dhe më efikas për qytetarët.

Versioni i ri i aplikacionit u mundëson qytetarëve:

  • raportimin e rasteve edhe përmes videos,

  • ndjekjen e statusit të raportit në kohë reale,

  • si dhe, për herë të parë, aplikacioni është i disponueshëm edhe për përdoruesit e iPhone në platformën iOS, përveç Android.

Policia e Kosovës thekson se të gjitha raportimet e bëra përmes aplikacionit mbesin plotësisht konfidenciale, duke garantuar privatësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.

Aplikacioni “Lajmëro Policinë” mund të shkarkohet falas në App Store dhe Play Store, duke kërkuar emrin Lajmëro Policinë”, dhe është i përshtatshëm për të gjitha pajisjet që mbështesin platformat iOS dhe Android.

Me vetëm disa klikime, qytetarët mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në komunitetin e tyre, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Republikës së Kosovës.

Policia apelon tek qytetarët që të:

  • shkarkojnë aplikacionin,

  • raportojnë me besim,

  • dhe të jenë pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë publike.

Siguria është përgjegjësi e përbashkët. /Lajmi.net/