Policia e Kosovës ka njoftuar se, në përputhje me ligjet në fuqi dhe praktikat e mëhershme zgjedhore, ka përgatitur me kohë urdhrin operativ policor dhe ka realizuar të gjitha planifikimet e nevojshme lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat po mbahen sot, më 28 dhjetor 2025.
Me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, Policia e Kosovës ka angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht nga njësitet e rendit publik, ndërsa sipas nevojës janë paraparë edhe angazhime nga profile të tjera policore. Zyrtarët policorë kanë filluar punën sipas planit operativ me orar 12-orësh, duke nisur nga ora 03:00 e mëngjesit, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit sensitiv nga depot komunale drejt qendrave të votimit dhe ofrimin e sigurisë së vazhdueshme.
Plani operativ policor përfshin katër faza: periudhën përgatitore parazgjedhore, angazhimin gjatë fushatës zgjedhore, garantimin e sigurisë në ditën e zgjedhjeve (dita Z) si dhe periudhën paszgjedhore, e cila parasheh transportin dhe sigurimin e materialit zgjedhor deri në përfundim të plotë të procesit. Sipas Policisë, faza e parë dhe e dytë tashmë janë realizuar, ndërsa aktualisht është në zbatim faza e tretë, si faza kyçe e procesit zgjedhor.
Qëllimi i këtij urdhri operativ, sipas Policisë së Kosovës, është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrave të numërimit, si dhe përcjellja e sigurt e materialit sensitiv zgjedhor.
Po ashtu, Policia ka theksuar se do të iniciojë dhe procedojë çdo rast që lidhet me vepra penale kundër të drejtës së votimit, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në kuadër të këtij bashkëpunimi institucional, janë caktuar hetues policorë në drejtoritë rajonale, koordinatorë me KQZ-në dhe janë dhënë udhëzime të qarta për detyrat dhe përgjegjësitë ligjore të zyrtarëve policorë gjatë procesit zgjedhor.
Policia e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin e saj për kryerjen e detyrave në mënyrë profesionale dhe transparente, duke inkurajuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm që lidhet me sigurinë apo procesin zgjedhor.
Qytetarët mund të raportojnë rastet përmes numrave 192 dhe 038 550 999, përmes adresës elektronike [email protected], apo në stacionet më të afërta policore. /Lajmi.net/