Policia e Kosovës godet rrjetin kriminal pas shpërthimit në QKUK: 11 të arrestuar, sekuestrime të shumta

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë hetimor dhe operativ në lidhje me shpërthimin e ndodhur më 30 prill 2025 në parkingun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një mjet i tipit Mercedes B-Class, pronë e drejtorit të QKUK-së, u përfshi nga një shpërthim. Në kuadër të hetimeve, të zhvilluara nga…

Lajme

09/09/2025 16:12

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë hetimor dhe operativ në lidhje me shpërthimin e ndodhur më 30 prill 2025 në parkingun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një mjet i tipit Mercedes B-Class, pronë e drejtorit të QKUK-së, u përfshi nga një shpërthim.

Në kuadër të hetimeve, të zhvilluara nga Drejtoria kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, dhe në bashkëpunim me organet e drejtësisë, më 9 shtator 2025 janë realizuar bastisje në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë, transmeton lajmi.net.

11 persona të ndaluar, armë dhe drogë të sekuestruara

Si rezultat i operacionit janë ndaluar njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar dhe janë sekuestruar dëshmi të shumta materiale, përfshirë:

Prishtinë – Rruga “Fan Noli”

  • Një telefon iPhone 12

  • Një laptop Lenovo

  • Dokumente të ndryshme

Prishtinë – Rruga “Pavarësia”

  • Katër telefona Samsung

  • Një iPhone 14 Pro Max

  • Një palë pranga metalike

  • Një radio lidhje Baofeng

  • Gjashtë fishekë të kalibrit 9×19 mm

Fshati Rimanishtë

  • Një pistoletë Sig Sauer me një karikator dhe 12 fishekë

  • Një armë automatike AK-47 me 5 karikatorë, 99 fishekë dhe një bajonetë

  • Tri telefona celularë (iPhone dhe Samsung)

  • Sasi e konsiderueshme e substancës narkotike (dyshohet për marihuanë) dhe pajisje për kultivim e përpunim

Gjatë këtij operacioni, në bastisjen në Rimanishtë ka ndërhyrë edhe njësia e Antidrogës – DHTN Prishtinë, e cila ka marrë kompetencat për trajtimin e rastit lidhur me narkotikët.

Sekuestrohen mbi 140 kilogramë drogë

Në vijim të hetimeve, janë sekuestruar:

  • 142 kg e 172 gr substancë narkotike (Kanabis Sativa), në fazë përfundimtare të përpunimit

  • Një armë Sig Sauer 9×19 mm me karikator dhe 12 fishekë

  • Një armë AK-47 me 5 karikatorë, 99 fishekë dhe një bajonetë

  • Dhjetë telefona dhe pajisje të tjera relevante për rastin

Gjatë verifikimit të të dyshuarit F.D., është konstatuar se ndaj tij ekziston një urdhër arresti aktiv për vepra të lidhura me narkotikë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar për vuajtje të dënimit.

Nëntë të dyshuar në ndalim 48 orësh

Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kompetent:

  • Nëntë persona janë ndaluar për 48 orë

  • Për dy të tjerë, procedurat janë ndarë dhe janë njoftuar njësitë përkatëse për trajtim të mëtejshëm

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprime të koordinuara me organet e drejtësisë për ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës./lajmi.net/