Policia e Kosovës arreston një person të dyshimtë- kërcënoi zyrtarë shtetërorë të institucioneve të ndryshme përmes mesazheve
Policia e Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore disa mujore, në bashkërendim me Prokurorinë Themelore-Prishtinë, nën dyshimin se një i dyshuar është përfshirë në veprën penale ‘kanosje’, sot më 22.05.2025, ka zbatuar urdhëresën e gjykatës ku është zhvilluar kontrolli në një lokacion në Prishtinë. Gjatë kontrollit kanë asistuar…

Lajme
Policia e Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore disa mujore, në bashkërendim me Prokurorinë Themelore-Prishtinë, nën dyshimin se një i dyshuar është përfshirë në veprën penale ‘kanosje’, sot më 22.05.2025, ka zbatuar urdhëresën e gjykatës ku është zhvilluar kontrolli në një lokacion në Prishtinë. Gjatë kontrollit kanë asistuar edhe njësi tjera policore.
Sipas policisë, dyshohet se personi i dyshuar, në mënyrë të vazhdueshme, përmes e-maileve ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës si: Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës, Universitetit të Prishtinës, si dhe në drejtim të zyrtarëve të këtyre institucioneve.
“Gjatë këtij operacioni policor është arrestuar i dyshuar, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘kanosje’ dhe në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar pajisjet të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale”,thuhet në njoftimin për media.
Kurse në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një laptop, një tablet dhe një telefon.
I dyshuari me vendim të prokurorit ndalohet për 48 orë./Lajmi.net/