Polica e sigurimit kufitar për bashkatdhetarët nga 1 korriku 50% më lirë

Bashkatdhetarët tanë deri tash për një muaj qëndrim kanë qenë të obliguar të paguajnë 41 euro, ndërsa për 15 ditë qëndrimi 30 euro. Kurse, nga 1 korriku do të paguajnë 50 për qind më pak për policën e sigurimit kufitarë.

Lajme

17/05/2015 16:12

Kështu ka thënë, Rrahim Pacolli, udhëheqës i delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Prej 1 korrikut e kanë 50 për qind më lirë automjetet normale që vinë prej diasporës do të thotë 15 ditë e kanë 15 euro dhe 1 muaj 20 euro…Kamë duruar letër drejtorit të byrosë iu cili do ti drejtohet Bankës Qendrore dhe Banka Qendrore e bënë aprovimin edhe përgatitet teknikisht për me fillu”, ka thënë Pacolli.

Ai për krejt këtë punë ka thënë se kanë marrë mbështetje të kryetarit të parlamentit , Kadri Veselit.

“Përkrahje kemi pasur prej krye parlamentarit Veseli i cili që 5-6 muaj i kemi rishikuar dhe ka kërkuar në disa takime që kemi qenë më herët me i marrë akterët me i analizuar se çka mund të bëjmë me qytetarët. ..z Veseli e ka një meritë të madhe në këtë veprim”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa, Valon Murati ,ministër i diasporës ka thënë se kjo çështje ka qenë një nga brengat e bashkatdhetarëve.

“Unë e kam thënë edhe në mbledhjen e qeverisë që kjo është një prej çështjeve që më së shumti i brengos edhe bashkatdhetarët, personalisht e kam breng të tyre në çdo takim zgjidhjen e çështjes së kartonit të gjelbër, gjithsesi ky është një problem kompleks, nuk është një problem që mund të zgjidhet edhe aq lehtë, për shkak se Kosova e ka goxha të vështirë që zyrtarishttë bëhet pjesë e kartonit të gjelbër, për shkak të kushteve që janë aty, sidoqoftë ne si ministri kemi punuar bashkë mekomisionin për financa se çfarë mundësish alternative ka”, ka thënë Murati.

Kjo iniciativë e cila tashmë nuk po dihet e kujt ka qenë është përkrahur edhe ngaBali Muharremi , deputet i AAK-së, i cili ka thënë se është vendim i vonuar.

“Është dashur që shumë më herët të hiqet për arsye se këta njerëz kanë dhënë më së shumti për Kosovën. Kanë marrë pjesë në gjitha shtet formimin shtete ndërtimin për formimin e shtetit edhe besoj që është vonuar është dashur me heq shumë më herët s’kanë nevojë me paguar . Edhe grupi parlamentar i aleancës gjithqysh do ta përkrahë këtë iniciativë tu e dinë që diku në vit vetëm marrim diku 600 milion euro remitanca prej qytetarëve tanë “, ka thënë Muharremi.

Ndryshe, kompanitë e sigurimeve sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë realizuar nga policat e sigurimit kufitar 14 milionë e 704 mijë euro.

Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës, thotë se byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar në vitin 2011 nga 10 kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

“Byroja Kosovare e Sigurimit është organizatë profesionale me cilësinë e personit juridik e themeluar për qëllime jofitimprurëse. Nuk bëhet fjalë për fitim bëhet fjalë për prim bruto të shkruar nga shitja e policave, prim ky në fund vitin 2014-të ishte 14 milionë e 704 mije euro. Në buxhetin e Kosovës shkon, TVSH dhe Tatimi 5%. Këto dy lloje të tatimeve përmban polica e sigurimit kufitar të cilat paguhen në buxhetin e Kosovës”, ka thënë Kada përmes përgjigjeve elektronike.

Ai ka treguar se sigurimi kufitar ekziston për arsye se Kosova ende nuk është anëtarë e CoB-se. Tarifën e sigurimit kufitar e caktojnë ekspertet (aktuarët) e kompanive të sigurimeve të cilat aprovohen nga BQK-ja. /Kosovapress/