Poezia “Pengu i lirisë” fituese e çmimit ‘Pena e Flakës 2002’
Poezia e Alketë Spahiut, me titull “Pengu i lirisë” është shpallur fituese e çmimit kryesor në “Ora e madhe letrare” të shtyllës “Pena e Flakës” në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2022”.
ShowBiz
Pasi janë lexuar e deklamuar poezitë pjesëmarrëse në “Ora e madhe letrare”, janë publikuar edhe rezultatet e konkursit anonim letrar në prozë e poezi.
Juria e përbërë nga Ramadan Mehmeti, Sabile Keçmezi – Basha dhe Sinan Sadiku, ka qenë unanime në vlerësimin final për shpalljen e fituesit të poezisë më të mirë të lexuar në “Ora e madhe letrare”.
Në emër të jurisë, Dr. Sabile Keçmezi – Basha, ka prezantuar vendimin, duke potencuar se disa nga poezitë konkurruese pjesëmarrëse kanë qenë të botuara paraprakisht, ndaj si të tilla janë eliminuar me automatizëm nga konkurrenca, ndërsa poezia më e mirë e lexuar në “Ora e madhe letrare” është shpallur “Pengu i lirisë” i autores Alketë Spahiu.
Në emër të jurisë vlerësuese, Sabile Keçmezi – Basha vuri në dukje se cilësia e prurjeve të këtij edicioni ka qenë në nivel të kënaqshëm, sikurse edhe konkurrenca, për të cilën tha se ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe në numër të madh.
“Duke i analizuar poezitë, në të gjitha vërejtëm tonin medidativ ku me të madhe gjejmë shqetësime krijuese që gërshetohen në filozofinë poetike të këtyre poetëve, të cilët sjellin një imazh që në vete bart realitetin e kohës dhe me një simbolikë metaforike gjuhësore përjetohet si refleks komunikimi duke bartur natyrshëm një mesazh të qartë tek lexuesit”, nënvizoi ajo, ndërsa pjesëmarrjen masive të poetëve e cilësoi “festë në vete” për poezinë shqipe.
Në kuadër të pjesës letrare të manifestimit, Juria e konkursit anonim letrar, në përbërje Prend Buzhala, Emin Azemi e Albina Idrizi, ka ndarë çmimet në prozë e poezi për krijimet më të mira, me sa vijon:
Çmimin e parë e fitoi poezia “Legjendë tingujsh” me shifër “Itaka”, vendin e dytë e fitoi poezia “Fjalët për një këpucë të humbur” me shifër “këpuca e gjetur”, kurse vendi i tretë i ka takuar poezisë me shifrën “Flokë të arta” e me titull “N’ikje”.
Ndërsa në prozë, tregimi “Dritëhije e Prishtinës” me shifrën “Janari” zuri vendin e parë. Vendi i dytë i takoi tregimit me titull “Tundimet e Shën Arturit” me shifrën “Dora d’ Istria”, ndërsa ai me shifrën “Intuita” e me titull “Makthi cullak” zuri vendin e tretë.
Siç është bërë e ditur edhe ky edicion i “Pena e Flakës” do të përgatitet dhe botohet në një botim të veçantë në revistën letrare “Agmia”, në të cilën, përveç krijimeve fituese nga konkursi anonim dhe nga “Ora e madhe letrare” do të botohen edhe një numër syresh, të cilat janë vlerësuar nga komisioni si punime të denja e me nivel të kënaqshëm letrar/artistik: “Më thuaj shpesh”, shifra “Perla”; poezia me titull “Për një ditë marsi” me shifrën “Janari”; pastaj poezia “Nata” me shifrën “24 pjesët e natës”; poezia “Mjekrës së thinjur të kohës” me shifrën “15012017”; poezia “Blegërima e harresës” me shifër “Harrestar në Horoskop”; poezia e radhës me titull “Jetëshkrim manekinësh” me shifrën “Manekini”, si dhe poezia “Kurrë lumë” me shifrën “1980”. /Lajmi.net/