Podujevë, të miturit vjedhin paratë e organizatës humanitare të dedikuara për fëmijët skamnorë

Paratë e grumbulluara nga organizata humanitare“Iniciativa Vullnetare Rinia Bashkon”  në Podujevë sot gjatë gjithë ditës, u vodhën në orët e mbrëmjes nga disa të rinj nën moshën 18 vjeçare që nuk ishin pjesë e organizatës.

Lajme

25/12/2017 22:48

 

Dy aktivistë të kësaj organizate që po mbledhin para për skamnorët dhe jetimët, sonte u ballafaquan me një gjë jo fort të këndshme, shkruan lajmi.net

Paratë që ata kishin mbledhur gjatë gjithë ditës u vodhën nga disa persona të cilët Policia i arrestoi në kohë rekorde.

E gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00.

Nënkryetari i kësaj organizate, Rinor Hakaj ka thënë për lajmi.net se të dyshuarit e kanë shfrytëzuar rastin pasi në pikën e grumbullimit të parave kanë qenë dy vajza.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 18:00. Në kamera të xhamisë i kemi parë që kanë ikur, Policia i ka gjetur rreth orës 18:15 në një lokacion të njohur për Policinë. Ata djemtë janë 15-16 vjet e kanë pranuar krimin njëri për tjetrin Te posta në pikë kanë qenë dy qika, dhe ata djemtë kanë marrë një shumë që nuk e dijmë saktë sa ka qenë. Aksioni ka qenë me Këshillin e Bashkësisë Islame në Podujevë. Deri tash ka shkuar mirë, por shpresoj që të mos ndodhë më diçka e tillë”, tha Hakaj.

Kurse komandanti i Policisë në rajonin e Podujevës, Bekim Bislimi ka bërë të ditur se bëhet fjalë për pesë persona nën moshën 18 vjeçare, dy prej të cilëve me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

“Rreth orës 18:00 Policia ka marrë informacion se dy aktivistë të organizatës Rinia Bashkon të cilët kanë qenë duke mbledhur para në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Podujevës, i janë vjedhur paratë të të cilat i kanë grumbulluar gjatë ditës. Menjëherë në kohë prej 7 minutash ne kemi arritur t’i identifikojmë dy persona, të cilëve u ishin bashkëngjitur edhe tre tjerë pra gjithsej pesë. Dy prej të dyshuarve me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Të dyshuarit kanë qenë nën 18 vjet”, ka thënë Bislimi për lajmi.net

Komandanti i policisë ka thënë tutje se nuk dihet shuma e parave të grabitura pasi kanë qenë para të hekurit.

Prokurori rastin e ka cilësuar si “Vjedhje e rëndë”.

Të dyshuarit e kanë pranuar edhe fajin për veprimin e kryer, kurse paratë organizatës do t’i kthehen gjatë ditës së nesërme.

Ndryshe qe disa ditë organizata “Iniciativa Vullnetare Rinia Bashkon” ka nisur një aksion humanitar të quajtur: “T’i ngrohim zemrat e jetimëve dhe skamnorëve në këto ditë të ftohta”.

Ky organizim realizohet tradicionalisht tash e disa vite./Lajmi.net/

Image may contain: text