Po i garanton se po e sheron autizmin, por shkenca e mohon se mund të ndodh një gjë e tillë – Kaq po iu kushton prindërve terapia nga Arianit Sllamniku
Një nga sfidat me të cilat po përballen disa prindër në Kosovë dhe jashtë saj, është shfaqja e autizmit tek fëmijët e tyre. Kjo vështirësi, e cila nga mjekësia thuhet se nuk ka zgjidhje, apo saktësisht nuk ka shërim, duket se po shfrytëzohet nga një person për përfitime personale. Arianit Sllamniku nga Gjilani, përmes zyrës…
Lajme
Një nga sfidat me të cilat po përballen disa prindër në Kosovë dhe jashtë saj, është shfaqja e autizmit tek fëmijët e tyre.
Kjo vështirësi, e cila nga mjekësia thuhet se nuk ka zgjidhje, apo saktësisht nuk ka shërim, duket se po shfrytëzohet nga një person për përfitime personale.
Arianit Sllamniku nga Gjilani, përmes zyrës së tij në këtë Komunë, po iu shet këtyre prindërve disa barna të cilat po thotë se e sherojnë autizmin e që po kushtojnë mijëra euro.
Një nga prindërit që ka fëmijën me autizëm dhe ka kërkuar ndihmë nga Sllamniku, ka thënë për lajmi.net se barnat e përshkruara nga ai po kushtojnë 1500 euro për 3 deri në katër muaj.
I bindur se e shëron autizmin, është shprehur Arianit Sllamniku i cili për lajmi.net ka thënë se këtyre fëmijëve iu jep si terapi edhe dhe vullkanik.
“Parazitët dhe metalet e rënda, janë shkaktarët kryesorë që e bllokojnë fëmijën, parazitët kryesisht në zorrë e pastaj edhe në pjesë të tjera të trupit”, ka thënë Sllamniku.
I pyetur nga gazetari se si e sheron autizmin kur autizmi nuk sherohet sipas shkencës, Sllamniku është shprehur shumë i sigurtë se ai arrin ta sheroj atë.
“Ju e dini, unë nuk e di ashtu. Mjekësia na ka thënë edhe vaksinonu me vaksinat Covid. Për terapi, janë një pjesë e mineraleve, janë një pjesë përshembull e mineraleve të dheut vullkanik, si vaj ricini dhe suplemente tjera e bëjnë organizmin e fëmijës me i largu të gjitha toksinat, parazitët”, ka thënë Sllamniku.
Se autizmi nuk sherohet, ka thënë për lajmi.net edhe psikologu klinik Visar Salihu.
“Autizmi nuk sherohet sepse nuk është sëmundje”, ka thënë Salihu.
Rasti i Arianit Sllamnikut dhe trajtimit bqë ai iu bën fëmijëve me autizëm, po trajtohet nga Policia dhe Prokuroria në Gjilan.
“Mundë të ju konfirmojmë se në lidhje me çështjen për të cilën janë adresuar pyetjet tuaja, ju njoftojmë se është i plotësuar një shënim zyrtar dhe është duke u trajtuar në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse”, kanë thënë nga Policia në Gjilan.
Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe tek Prokuroria Themelore në Gjilan, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Lajmi.net/
Për më shumë, ndiqeni videon: