“Po diskriminohen në vende publike dhe në punë” Raporti i Progresit flet për LGBTIQ+ në Kosovë, thuhet se për Kodin Civil nuk pati përparime

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian. Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve. Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku…

Lajme

04/11/2026 15:22

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Por në këtë raport, BE-ja ka përfshirë edhe një çështje të ndjeshme në vendin tonë, e që lidhet me LGBTIQ+ dhe të drejtat e tyre në Kosovë.

Sipas këtij raporti, mbrojtja ligjore e të drejtave të personave LGBTIQ+ mbetet e pamjaftueshme dhe personat LGBTIQ+ vazhdojnë të përballen me diskriminim.

Sipas këtij raporti një strategji dhe plan veprimi mbi të drejtat e personave LGBTIQ+ mbetet për t’u miratuar që nga viti 2024 dhe nuk janë zhvilluar aktivitete zyrtare ndërgjegjësimi, transmeton lajmi.net.

“Kosova vazhdon të mos ketë një procedurë të qartë administrative për njohjen ligjore të gjinisë. Personat transgjinorë, pra, përballen me pasiguri ligjore dhe mund të duhet të ndjekin procedura të gjata gjyqësore për të ndryshuar shënuesit e tyre të gjinisë në dokumentet zyrtare. Çiftet e të njëjtit seks vazhdojnë të mos kenë njohje dhe mbrojtje ligjore, pasi miratimi i Kodit Civil – i cili pritej të adresonte këtë çështje – nuk ka përparuar”, thuhet në raport.

Personat LGBTIQ+ vazhdojnë të përballen me diskriminim në hapësirat publike dhe vendet e punës, si dhe në diskursin publik, përfshirë gjatë fushatës zgjedhore.

“Dhuna online vazhdon, ndërsa normat patriarkale dhe tradicionale kontribuojnë në diskriminim dhe refuzim brenda familjeve. Raportimi i incidenteve të dhunës mbeti i qëndrueshëm, Java e Krenarisë dhe Parada e Krenarisë (qershor 2026) u zhvilluan pa incidente. Shërbimet publike për personat LGBTIQ+ mbeten jashtëzakonisht të pakta”,theksohet në raportin e Bashkimit Evropian apo njohur ndryshe si Raporti i Progresit.

“Organizatat e shoqërisë civile mbeten ofruesit e vetëm të shërbimeve shëndetësore, psikosociale dhe ligjore, por tkurrja e fondeve ka të ngjarë të ndikojë në qëndrueshmëri”.

Ndryshe këtë muaj pritet që Qeveria e Kosovës të miratojë projektligjin për Kodin Civil,i cili më pas do hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës./Lajmi.net/